Protesta në Shkodër, pritet pjesëmarrja e tifozëve të Vllaznisë

Nga A2 CNN
17 Tetor 2026, 09:59 | Aktualitet

Protesta studentore në Shkodër pritet të vijojnë edhe këtë të shtunë, pas tubimit të zhvilluar një ditë më parë. Gazetari i A2 CNN, Senad Nikshiqi, raportoi se ditën e sotme është paralajmëruar një tjetër protestë, ku pritet të bashkohen edhe tifozët e Vllaznisë, ndërsa mbetet për t’u konfirmuar nëse do të ketë pjesëmarrës nga diaspora përmes pikës kufitare të Muriqanit.

Protesta e djeshme nisi rreth orës 09:00, me pjesëmarrjen e studentëve të Universitetit të Shkodrës, të cilët marshuan në rrugët e qytetit, bojkotuan procesin mësimor dhe kërkuan largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në orët e pasdites, një grup i vogël protestuesish u rikthye pranë Bashkisë Shkodër, ku hodhi një molotov në hyrje të godinës. Nga ky incident nuk raportohen persona të lënduar. Gazetari i A2 CNN raportoi gjithashtu se të rinjtë e shoqëruar nga policia janë liruar pas identifikimit, pa persona të arrestuar që të pritet të dalin para gjykatës për masë sigurie.

Ndërkohë, vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në Tiranë komandanti i forcave të rendit në Policinë e Shkodrës, Fasli Ramaj, i cili u plagos rëndë në kokë gjatë përplasjeve në protestën e dy ditëve më parë. Ai u transportua drejt Tiranës për trajtim të specializuar dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas informacioneve, operacioni përfundoi me sukses dhe gjendja e tij është e stabilizuar.

“Goditja ndaj komandantit të forcave të rendit në policinë vendore të Shkodrës Fasli Rama ka qenë e rëndë, sepse është goditur me një mjet hekuri pjesë makine që e ka marrë në një servis aty afër një prej protestuesve dhe e ka gjuajtur në kokë efektivin e policisë, i cili është dëmtuar rëndë. Është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës. Më pas është transportuar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. Ka patur një thyerje të rëndë në kokë, një plagë të rëndë në pjesën e kokës dhe është futur menjëherë në operacion. E ka kaluar me sukses, nuk i ka prekur pjesën e trurit. Për momentin gjendja e tij pak nga informacionet që kemi është stabël”, tha gazetari i A2 CNN.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos