
Liderët e Bashkimit Europian do të diskutojnë aplikimin e Ukrainës për t’iu bashkuar unionit në ditët në vijim, tha kreu i Bashkimit Europian, Charles Michel, të hënën.
“Solidariteti i BE-së, miqësia dhe ndihma e paprecedentë për Ukrainën janë të palëkundura. Do të diskutojmë aplikimin për anëtarësim në ditët në vijim”, tha Michel në një postim në Twitter.
Të enjten, liderët e BE-së do të takohen në Paris për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se situata atje po përkeqësohej çdo ditë dhe se vendi i tij do të vijonte të ushtronte presion ndaj Rusisë përmes sanksioneve. “Çdo ditë vdesin njerëz, nuk kemi arritur të vendoset armëpushim”, tha Macron për televizionin francez LCI.
Rusia deklaroi se ka krijuar korridore humanitare në mënyrë që ukrainasit të largohen nga zonat e luftimeve, por Ukraina thotë se këto rrugë e çojnë popullsinë civile vetëm drejt Rusisë ose Bjellorusisë. (A2 Televizion)