Një shtetas kolumbian u arrestua javën e kaluar në Aeroportin e Kartagjenës teksa përpiqej të hipte në një avion me destinacion Amsterdamin, duke transportuar 19 kapsula kokaine të fshehura nën një paruke. Lajmi u bë i ditur nga autoritetet kolumbiane të hënën, shkruan A2 CNN.
Sipas komandantit të Policisë Metropolitane të Kartagjenës, Gjeneral Brigade Gelver Yecid Peña Araque, arrestimi u realizua falë një procedure të profilizimit dhe parandaloi shitjen e mbi 400 dozave kokaine, me një vlerë mbi 10,000 euro në tregun ndërkombëtar.
“Gjatë profilizimit, u identifikua një individ që synonte të udhëtonte nga Kartagjena për në Amsterdam. Ekspertët tanë e vlerësuan sjelljen e tij dhe e vendosën në kontroll të hollësishëm. Përmes skanimit dhe kontrollit fizik, u zbulua parukja, e cila përmbante mbi 220 gramë kokainë. Me këtë sekuestrim, u goditën përfitimet e paligjshme të krimit”, deklaroi gjenerali Peña Araque.
I dyshuari u dorëzua në Prokurorinë e Përgjithshme të Kolumbisë dhe do të përballet me akuzat për trafikim, prodhim dhe posedim të substancave narkotike. (A2 Televizion)