
Dy persona janë arrestuar në Vlorë për vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e një 29-vjeçari në fshatin Llakatund dy ditë më parë.
A2 CNN raporton se në pranga ranë Shkëlqim Malaj, 41 vjeç, dhe Ervin Skorovoti, 43 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Sipas hetimeve, dy të arrestuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se vendosën lëndën plasëse në automjetin në pronësi të 29-vjeçarit, administrator i Njësisë Administrative Shushicë.
Nga shpërthimi u shkaktuan vetëm dëme materiale. Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Vlorë/Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Llakatund, ku u vendos lëndë plasëse në automjetin e një 29-vjeçari.
Finalizohet operacioni i koduar “Return”.
Identifikohen dhe arrestohen 2 prej autorëve të dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 19.10.2026, rreth orës 02:50, në fshatin Llakatund, ku u dëmtua me lëndë plasëse automjeti në pronësi të shtetasit I. B., organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Return”.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve:
* Sh. M., 41 vjeç;
* E. S., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin e shtetasit I. B., 29 vjeç, banues në Shushicë, me detyrë administrator i njësisë administrative Shushicë.
Nga shpërthimi u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)