Zvogëlohet vrima e ozonit në Antarktidë

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2025, 08:41 | Lifestyle

Zvogëlohet vrima e ozonit në Antarktidë

Vrima e ozonit mbi Antarktidë ka treguar këtë vit një përmirësim të rëndësishëm, duke u mbyllur më 1 dhjetor, një nga datat më të hershme të mbylljes në vitet e fundit. Sipas Shërbimit të Monitorimit të Atmosferës Kopernikus (CAMS), vrima e ozonit e këtij viti ishte më e vogla dhe me kohëzgjatjen më të shkurtër që nga viti 2019, duke arritur maksimalisht rreth 21 milion km² në fillim të shtatorit.

Ky është një përmirësim i dukshëm krahasuar me vitin 2023, kur shtrirja arriti 26 milion km². NASA dhe NOAA e kanë klasifikuar këtë si vrimën e pestë më të vogël që nga viti 1992.

Ky zhvillim pozitiv lidhet ngushtë me efektet afatgjata të Protokollit të Montrealit, marrëveshjes ndërkombëtare që ndaloi përdorimin e substancave që dëmtojnë shtresën e ozonit.

Drejtori i CAMS, Laurence Rouil, theksoi se progresi i këtij viti është tregues i qartë i rimëkëmbjes së vazhdueshme të ozonit.

"Kjo pasqyron progresin e qëndrueshëm që po shohim vit pas viti në rimëkëmbjen e shtresës së ozonit falë ndalimit të substancave që shkatërrojnë ozonin", thotë Laurence Rouil.

Lajmi pozitiv vjen pas periudhës 2020–2023, kur vrima e ozonit ishte jashtëzakonisht e madhe dhe jetëgjatë. Shkencëtarët ende nuk kanë një shpjegim të plotë, por hipotezat përfshijnë ngjarje të jashtëzakonshme siç janë vorbullat e forta polare të vitit 2020, zjarret e mëdha në Australi dhe shpërthimin vullkanik nënujor Hunga Tonga në vitin 2022, të cilat mund të kenë ndikuar në atmosferë.

Rouil theksoi se rezultatet e dy viteve të fundit duhet të shihen si një sukses i bashkëpunimit global për mbrojtjen e mjedisit dhe prova e asaj që mund të arrihet kur komuniteti ndërkombëtar vepron së bashku.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos