
Një nga plazhet më të njohura të ishullit italian të Sardenjës ka vendosur rregulla të reja dhe të pazakonta për vizitorët, në përpjekje për të mbrojtur mjedisin pas zjarreve që e përfshinë vitin e kaluar.
Autoritetet lokale në Punta Molentis, në bregdetin juglindor të Sardenjës, kanë ndaluar përdorimin e çadrave të plazhit për të gjithë vizitorët e moshës nga 10 deri në 65 vjeç. Përjashtim bëhet vetëm për familjet që shoqërohen me fëmijë nën 10 vjeç dhe për personat mbi 65 vjeç, shkruan A2 CNN.
Vendimi vjen pasi zjarret e verës së kaluar shkatërruan një pjesë të plazhit, dunat ranore dhe parkingun përreth. Flakët detyruan pushuesit të largoheshin me varka, ndërsa dhjetëra automjete mbetën të djegura në zonën e parkimit.
Bashkia e Villasimius, në territorin e së cilës ndodhet Punta Molentis, argumenton se kufizimet janë të domosdoshme për të reduktuar ndikimin e njeriut dhe për të ruajtur këtë pasuri natyrore për brezat e ardhshëm.
Sipas rregullores së re, plazhi do të presë maksimumi 150 vizitorë në të njëjtën kohë. Gjithashtu, hyrja do të bëhet vetëm me rezervim paraprak. Ata që mbërrijnë në plazh nga toka do të paguajnë një tarifë prej 10 eurosh për person, ndërsa vizitorët që vijnë me mjete lundruese do të paguajnë 5 euro. Edhe qarkullimi i automjeteve është kufizuar në vetëm 70 makina në ditë deri më 31 tetor.
Jo të gjithë e kanë mirëpritur këtë vendim. Në rrjetet sociale, disa banorë kanë ironizuar masën, duke pyetur nëse pushuesit do të duhet të “marrin me qira” fëmijë ose të moshuar për të pasur të drejtën e një çadre në plazh. Të tjerë kanë argumentuar se zgjidhja më e mirë do të ishte mbyllja e plotë e plazhit për disa vite, në mënyrë që ekosistemi të rikuperohej plotësisht.
I cilësuar si një nga “perlat” e Villasimiusit, Punta Molentis është i njohur për rërën e bardhë dhe ujërat kristal të kaltra, që tërheqin çdo vit mijëra turistë nga e gjithë bota. (A2 Televizion)