Të moshuarit janë brezi më i pasigurt përballë teknologjisë dhe bumit të informacioneve që dalin çdo ditë nga platformat digjitale.
Jo pak herë kjo gjeneratë ka rënë pre e mashtrimeve dhe informacioneve të rreme. Sipas një studimi të kryer nga organizata “Faktoje” rezultoi se të moshuarit në epokën digjitale nuk janë të sigurt për informacionet që u shkojnë në telefonat e tyre.
Nga 207 të moshuarit të pyetur në Tiranë, Durrës, Shkodër e Korçë rezultoi se televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit për gjeneratën e artë. Thuajse të gjithë ndjekin edicionet e lajmeve për t'u informuar sipas tyre në mënyrë të besueshme.
Ndërsa 1/3 e tyre pohojnë se lajmet e rreme që u vijnë nga platformat në telefon kanë ndikuar në vendime të rëndësishme si shëndeti, financat apo dhe proceset zgjedhore. Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Silvio Ganzato foli për rëndësinë e informacioneve të besueshme dhe pasojat e dezinformimit në një shoqëri.
Sipas gjetjeve të studimit, 96.6% e të moshuarve i marrin informacionet nga mediat tradicionale, 42% përdorin rrjete sociale e për rrjedhojë ndihen të ekspozuar nga përmbajtje të pakontrolluara.
Ata thonë se fushat më të prekura nga informacionet e rreme janë politika dhe shëndeti, duke ndikuar drejtpërdrejt në vendimet e tyre.
(A2 Televizion)