Dronët që do të ndryshojnë luftën prezantohen në Panairin e Parisit

Nga A2 CNN
19 Qershor 2025, 21:58 | Teknologji
Dronët që do të ndryshojnë luftën prezantohen në

Gjigandët e mbrojtjes dhe firmat e teknologjisë ushtarake përdorën Panairin Ajror të Parisit për të prezantuar dronët më të avancuar të njohur si “shoqëruesit”, mjete ajrore pa pilot të projektuara për të fluturuar pranë avionëve luftarakë të gjeneratës së re dhe për të transformuar të ardhmen e luftës ajrore.

Panairi në Paris, që konsiderohet si ngjarja më e madhe në botë për industrinë ajrore dhe të mbrojtjes, shfaqi një numër rekord dronësh, duke reflektuar rëndësinë në rritje të tyre pas efektivitetit të provuar në luftën në Ukrainë, si dhe përgatitjeve të SHBA-së për një konflikt të mundshëm me Kinën në rajonin e Paqësorit, shkruan A2 CNN.

Në prill të vitit të kaluar, Forcat Ajrore të SHBA-së përzgjodhën kompanitë Anduril dhe General Atomics për të zhvilluar flotën e parë të dronëve shoqërues, të njohur zyrtarisht si Mjete Ajrore Bashkëpunuese për Luftim (CCA – Collaborative Combat Aircraft).

Anduril, me seli në Kaliforni – e cila ka furnizuar tashmë Ukrainën me dronë të vegjël dhe që për herë të parë mori pjesë në panair – prezantoi një model të dronit të saj “Fury” me gjatësi 5 metra, i planifikuar për prodhim në vitin 2027 si pjesë e programit CCA të Forcave Ajrore të SHBA-së.

Dronët që do të ndryshojnë luftën prezantohen në

“Po ecim me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë”, tha Jason Levin, nënkryetar i inxhinierisë në Anduril, për agjencinë Reuters. “Ky është një avion shumë i aftë. Nuk mund të japim detaje këtu, por ai kryen misione si një avion luftarak”. Levin shtoi se Anduril ka siguruar 2.5 miliardë dollarë për ndërtimin e një fabrike prodhimi prej 460 mijë metrash katrorë në shtetin e Ohajos, ndërtimi i së cilës pritet të nisë vitin tjetër.

Në mars, Anduril nënshkroi një marrëveshje prej rreth 38 milionë dollarësh me Britaninë për të furnizuar Ukrainën me dronin kompakt “Altius”, i cili mund të lëshohet nga toka ose nga ajri dhe është i aftë të kryejë sulme, të shërbejë si mashtrim ose për luftë kibernetike.

Dronët më të mëdhenj si Fury janë pjesë e programit amerikan CCA, që synon të fusë në përdorim rreth 1,000 dronë autonomë të aftë për zbulim, luftë elektronike dhe operacione goditëse së bashku me avionë luftarakë me pilot – si F-35 i Lockheed Martin dhe F-47 i gjeneratës së ardhshme, që do të ndërtohet nga Boeing, pas përzgjedhjes së saj nga Forcat Ajrore në mars.

General Atomics, nga ana tjetër, prezantoi modelin e dronit të saj YFQ-42A në panair, që përfaqëson ekuivalentin e Fury dhe është projektuar gjithashtu për përdorim të mundshëm në rajonin e Paqësorit në rast të një pushtimi të Tajvanit nga Kina.

Javën e kaluar, Boeing demonstroi potencialin e bashkëpunimit mes dronëve dhe pilotëve gjatë një testi novator me Forcat Ajrore Australiane, njoftoi kompania në panair. Në provë, dy dronë Ghost Bat të Boeing fluturuan pranë një avioni survejues E-7A Wedgetail, me një operator njerëzor që i komandonte në distancë për të përmbushur një mision ndaj një objektivi ajror.

“Ghost Bat ka potencialin të shndërrojë një avion të vetëm luftarak në një ekip të tërë luftarak, me sensorë të avancuar që funksionojnë si qindra sy në qiell”, tha Ministri Australian për Industrinë e Mbrojtjes, Pat Conroy.

Edhe firmat evropiane të mbrojtjes po avancojnë me programe të ngjashme për dronët shoqërues, përfshirë kompaninë suedeze Saab dhe një partneritet treshe mes Dassault Aviation (Francë), Airbus (Gjermani) dhe Indra Sistemas (Spanjë), të përfshira në programin Future Combat Air System. Qëllimi i këtij programi është integrimi i dronëve autonomë me avionët luftarakë të komanduar nga pilotë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos