
Në përpjekjen globale për të ulur varësinë nga karburantet fosile, Japonia ka bërë një hap historik drejt energjisë së pastër. Muajin e kaluar, vendi aziatik inauguroi në Fukuoka centralin e parë të energjisë “osmoticë”, duke u bërë shteti i dytë në botë që investon në këtë teknologji, pas Danimarkës, e cila hapi të parën në vitin 2023.
Energjia “osmoticë”, e njohur edhe si “energji blu”, prodhohet nga përzierja e ujit të ëmbël me ujin e kripur përmes një membrane gjysmëpërshkuese. Ky proces gjeneron presion që lëviz turbina për të prodhuar elektricitet. Me këtë sistem, Japonia synon të prodhojë rreth 880 mijë kilovat orë në vit, energji e mjaftueshme për të furnizuar afërsisht 300 familje. Fillimisht, centrali do të përdoret për të siguruar energji për impiantin e desalinizimit të Fukuokës, që furnizon me ujë të pijshëm zonat përreth, shkruan A2 CNN.
Ekspertët theksojnë se kjo lloj energjie ka avantazhin e prodhimit të pandërprerë, pasi nuk ndikohet nga klima apo drita e diellit, si në rastin e energjisë diellore apo eolike. Për më tepër, nuk lëshon emetime të drejtpërdrejta të CO₂.
Megjithatë, sfidat teknike mbeten. Sipas inxhinieres Sandra Kentish nga Universiteti i Melburnit, humbjet e energjisë gjatë pompimit dhe kalimit të ujit në membrana janë ende të konsiderueshme.
Pavarësisht pengesave, studiuesit besojnë se nëse potenciali i saj shfrytëzohet në grykëderdhjet e lumenjve të mëdhenj, kjo energji mund të mbulojë deri në 40% të kërkesës globale. (A2 Televizion)
