Japonia rivendos kontaktet me sondën “Slim”, rinis misioni hënor

Nga A2 CNN
29 Janar 2024, 13:33 | Teknologji

Japonia rivendos kontaktet me sondën “Slim”, rinis misioni

Sonda që Japonia ka nisur në Hënë i është rikthyer misionit të saj pas ndërprerjes njëjavore, për shkak të një problemi të furnizimit me energji.

Agjencia Japoneze e Eksplorimit të Hapësirës bëri të ditur se i rivendosi kontaktet me sondën të dielën mbrëma, duke nënkuptuar kështu se defekti ishte rregulluar.

Mesa duket, qelizat e saj solare janë vënë sërish në punë pasi një ndryshim në kushtet e ndriçimit e lejoi pajisjen që të kapë rrezet e diellit për t’u furnizuar me energji.

Arsyeja se përse misioni i saj u ndalua përkohësisht më 20 janar ishte fakti që qelizat solare ndodheshin në drejtim të kundërt me diellin.

Kujtojmë se me anijen kozmike “Smart Lander”, Japonia u bë vendi i pestë që arriti të realizonte atë që quhet “ulje e butë në Hënë”, pas SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik, Kinës dhe Indisë.

Anija kozmike mbeti pa bateri për disa orë, përpara se autoritetet japoneze të vendosnin që ta fiknin në mënyrë që të mos bëhej më tepër dëm. Ekipi në Tokë mbeti me shpresën se energjia elektrike do të rikthehej me ndryshimin e këndit të dritës së diellit.

Sonda e Japonisë do të analizojë përbërjen e shkëmbinjve në Hënë dhe do të kërkojë të dhëna rreth origjinës së satelitit tonë natyror, sipas Jaxa-s.

Slim bëri ulje buzë një krateri ekuatorial të njohur si Shioli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos