Dyshohet për vrasje, arrestohet në Greqi 26-vjeçari Romarjo Tahiri

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2026, 14:39 | Kronikë

Dyshohet për vrasje, arrestohet në Greqi 26-vjeçari Romarjo

Është arrestuar në Greqi 26-vjeçari Romarjo Tahiri, i cili dyshohet se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, ka vrarë me thikë shtetasin shqiptar Spartak Dervishi.

Tahiri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana dhe tashmë pritet ekstradimi i tij në Shqipëri. 

NJOFTIMI

Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional ndërmjet homologëve të Drejtorisë së Interpolit dhe Interpol Athinës, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestua provizorisht në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, R. T., 26 vjeç, i lindur në Korçë.

Në vitin 2021, Gjykata e Korçës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se në vitin 2020, në Selanik, shtetasi R. T., në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, kanë vrarë shtetasin shqiptar S. D., të cilin fillimisht e kanë dhunuar dhe më pas e kanë goditur me mjete prerëse.

Familjarët e viktimës kanë bërë kallëzim në Korçë për ngjarjen e ndodhur në Selanik dhe veprimet janë koordinuar me autoritetet greke.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 26-vjeçarit në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos