Nëntori do të jetë muaji i Kombëtares shqiptare. Nga përfaqësuesja A te grupmoshat, futbolli kuqezi do të ketë një kalendar të ngjeshur, me sfida ndërkombëtare dhe objektiva të rëndësishëm. Por vëmendja kryesore është te skuadra e parë, që do të luajë dy ndeshjet e fundit të Grupit C1 në Ligën e Kombeve, me synimin për të mbrojtur vendin e parë dhe për të siguruar objektivin e saj në këtë kompeticion.
Shqipëria kryeson aktualisht grupin me 9 pikë, ndërsa Finlanda dhe Bjellorusia ndjekin me nga 7 pikë. Kjo do të thotë se dy takimet e nëntorit do të jenë vendimtare për fatin e kuqezinjve.
Sfida e parë është më 12 nëntor, në orën 20:45, ndaj Finlandës në stadiumin “Air Albania”. Një kundërshtar që Shqipëria e njeh mirë, por që në përballjen e fundit në Helsinki arriti të fitojë 2-1. Dhe në Tiranë pritet një atmosferë e veçantë. Interesi i tifozëve ka qenë shumë i lartë, me më shumë se 15 mijë bileta të shitura që në tetor dhe stadiumi që po shkon drejt një tjetër mbrëmjeje të mbushur plotë.
Vetëm tri ditë më vonë, më 15 nëntor, Shqipëria do të luajë në transfertë ndaj Bjellorusisë, në orën 18:00, në Budapest. Një kundërshtar që ka treguar se mund të jetë i rrezikshëm, veçanërisht pas fitores 1-0 ndaj Finlandës në tetor. Por nëntori nuk do të jetë vetëm muaji i Kombëtares A. Përfaqësuesja U-21, e drejtuar nga Alban Bushi, do të zhvillojë dy miqësore në Tiranë, ndaj Luksemburgut më 13 nëntor dhe Spanjës më 17 nëntor, në kuadër të përgatitjeve për Euro2027. (A2 Televizion)