
Michaela “Michi” Benthaus, 33 vjeçe, inxhiniere gjermane e hapësirës dhe mekatronikës në Agjencinë Europiane të Hapësirës (ESA), ka hyrë në histori duke u bërë personi i parë që përdor karrocë, që udhëton përtej Vijës Kármán, kufiri i pranuar gjerësisht i hapësirës, 100 kilometra mbi nivelin e detit.
Udhëtimi i saj historik u realizua të shtunën në mëngjes, në bordin e kapsulës New Shepard të kompanisë Blue Origin, e cila u nis nga Van Horn, Teksas. Misioni NS-37 ishte fluturimi i 16-të suborbital turistik i Blue Origin, kompania e themeluar nga Jeff Bezos me synimin për ta bërë hapësirën të aksesueshme për më shumë njerëz.

Benthaus pësoi dëmtim të palcës kurrizore në vitin 2018 pas një aksidenti me biçikletë dhe që prej asaj kohe përdor karrocë. Ajo ka treguar se dikur nuk e kishte menduar seriozisht hapësirën si diçka të arritshme për persona me aftësi të kufizuara.
Fluturimi zgjati rreth 10 minuta dhe ofroi disa minuta pa gravitet, gjatë të cilave Benthaus shijoi pamjen unike të Tokës. Ajo tha se eksperienca ishte intensive, por emocionuese, duke e përshkruar ngritjen si pjesën më mbresëlënëse.
Përmes këtij udhëtimi, Benthaus synon të kontribuojë në përmirësimin e aksesit në hapësirë dhe po mbledh fonde për kërkime mbi dëmtimet e palcës kurrizore, duke frymëzuar miliona njerëz në mbarë botën. (A2 Televizion)