Kompania e njohur japoneze Kawasaki Heavy Industries ka prezantuar një koncept mjaft të çuditshëm dhe futuristik në Ekspozitën e Kansait në Osaka: një robot katërkëmbësh i ngjashëm me një kalë, të quajtur Corleo, shkruan A2 CNN. Megjithëse për nga pamja ngjan më shumë me një ujk gjigant sesa me një kalë, Corleo është projektuar të ecë në terrene të vështira falë këmbëve të tij të pavarura dhe të lëvizshme.
Kjo “kafshë” mekanike funksionon me një motor 150cc me hidrogjen, duke e bërë atë një alternativë potencialisht të pastër për lëvizjen në terrene ku mjetet tradicionale nuk shkojnë dot. Në një video kryesisht të realizuar me efekte CGI, shihet sesi Corleo mund të ngjitet në male, të kërcejë mbi akullnaja dhe të përballojë sfida ekstreme. Por deri tani, këto mbeten vetëm në sferën e imagjinatës.
Në ekspozitë është shfaqur një model në përmasa reale, i cili lëviz vetëm në mënyrë të kufizuar, duke “shtrirë këmbët” lehtë. Nuk është parë ende asnjë person që ta ngasë atë, gjë që ngre dyshime nëse Corleo do të dalë ndonjëherë në prodhim real apo është thjesht një demonstrim teknologjik.
Përkundër mungesës së funksionalitetit të plotë, ideja ka ngjallur shumë entuziazëm, sidomos tek adhuruesit e teknologjisë dhe videolojërave si “Horizon”, ku makinat në formë kafshësh janë pjesë kyçe e botës së lojërave.
Megjithëse Corleo është ende në fazat fillestare, ai paraqet një shembull mbresëlënës të asaj që teknologjia mund të sjellë në vitet që vijnë. (A2 Televizion)