Një robot humanoid është filmuar duke sulmuar operatorin e tij në një fabrikë në Kinë, duke shkaktuar panik dhe reagime të shumta në rrjetet sociale.
Në pamjet e kamerave të sigurisë, roboti shfaqet i lidhur pas një vinçi të vogël, por papritur fillon të lëvizë me forcë krahët dhe përpiqet të çlirohet. Dy punonjës, njëri ulur përpara një kompjuteri dhe tjetri pas robotit, largohen me nxitim ndërsa roboti ecën përpara dhe përplaset me objektet përreth.
Njëri prej burrave arrin të tërheqë vinçin për ta ndaluar robotin, duke i dhënë fund momentit të frikshëm.
Ngjarja është komentuar gjerësisht online, ku ndjekësit e kanë cilësuar si skenë "distopike". “Kështu fillon,” shkroi një komentues, ndërsa një tjetër shtoi me ironi: “Për fat të mirë, apokalipsi robotik ndalet me një vinç të vogël... për tani.”
(A2 Televizion)