Qiellgërvishtësi “fantazmë” ringjallet pas 10 vitesh

Nga A2 CNN
25 Prill 2025, 12:17 | Teknologji

Qiellgërvishtësi “fantazmë” ringjallet pas 10 vitesh

Pas një ndërprerjeje gati 10-vjeçare, ndërtimi i rrokaqiellit më të lartë të pabanuar në botë, Goldin Finance 117, në qytetin port të Tianjin-it, pritet të rifillojë, shkruan A2 CNN. Sipas mediave shtetërore kineze, puna në kullën 597 metra të lartë do të vazhdojë këtë javë dhe pritet të përfundojë në vitin 2027.

Goldin Finance 117, që filloi ndërtimin në vitin 2008, ishte planifikuar të bëhej ndërtesa më e lartë në Kinë. Me 117 kate, kulla ka një strukturë unike në formë “bastuni”, e ndërtuar me kolona gjigante për të përballuar erërat dhe tërmetet. Në majë ndodhet një atrium me formë diamanti që përmban një pishinë dhe një platformë vëzhgimi. Ndërtesa ishte konceptuar të përfshinte zyra dhe një hotel luksoz me pesë yje, sipas arkitektëve të P&T Group.

Qiellgërvishtësi “fantazmë” ringjallet pas 10 vitesh

Megjithatë, ndërtimi u ndal në vitin 2015 pas krizës së tregut të aksioneve në Kinë, që shkaktoi kolapsin financiar të zhvilluesit Goldin Properties Holdings, i drejtuar nga Pan Sutong, dikur një nga biznesmenët më të pasur në Hong Kong. Kompania tani është në likuidim.

Një leje e re ndërtimi, me një vlerë kontraktuale prej afro 569 milionë juanë (rreth 78 milionë dollarë), tregon se emri i zhvilluesit origjinal mund të jetë hequr nga ndërtesa. Nuk është ende e qartë nëse destinacioni fillestar i kullës do të mbetet i pandryshuar. As P&T Group, as kompania shtetërore BGI Engineering Consultants, që figuron në leje, nuk kanë komentuar mbi projektin.

Qiellgërvishtësi “fantazmë” ringjallet pas 10 vitesh

Në dekadën e fundit, shumë ndërtesa të papërfunduara janë bërë simbol i krizës së tregut të pasurive të paluajtshme në Kinë. Në vitin 2020, autoritetet vendosën ndalimin e ndërtimit të kullave mbi 500 metra, për të frenuar spekulimet financiare që shpesh mbështesin projekte të tilla gjigande.

Po këtë javë, kompania shtetërore Greenland Group njoftoi rinisjen e punimeve në një tjetër rrokaqiell të lartë në Chengdu, 468 metra i lartë, i cili ishte pezulluar në vitin 2023 për shkak të vështirësive financiare.

Sipas profesor Qiao Shitong nga Universiteti i Duke në SHBA, rifillimi i këtyre dy projekteve nuk është rastësi, por pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të stabilizuar tregun e pasurive të paluajtshme dhe për të rritur besimin publik. Ai shton se, megjithëse rrokaqiejt nuk janë gjithmonë projekte fitimprurëse, ata shërbejnë si simbole për fuqinë dhe zhvillimin urban.

Ekspertja Fei Chen nga Universiteti i Liverpool-it thotë se për autoritetet lokale, përfundimi i ndërtesave të braktisura lidhet edhe me imazhin e qytetit, por gjithashtu thekson se kjo nuk nënkupton rikthim te projektet e tepruara që nuk janë të qëndrueshme financiarisht apo kanë impakt në mjedis.

Qiellgërvishtësi “fantazmë” ringjallet pas 10 vitesh

Sipas të dhënave të Këshillit për Ndërtesat e Larta dhe Habitatin Urban, Kina vazhdon të kryesojë botën për ndërtimin e rrokaqiejve. Nga 133 rrokaqiej mbi 200 metra të përfunduar në botë gjatë vitit të kaluar, 91 janë në Kinë.

Megjithatë, me rënien e shitjeve të pronave dhe nivelin e ulët të zënies së zyrave, rentabiliteti ekonomik i Goldin Finance 117 mbetet i pasigurt. Kur të përfundojë, kjo kullë do të jetë e treta më e lartë në Kinë dhe e gjashta më e lartë në botë, ose e teta, nëse ndërtohen Jeddah Tower në Arabinë Saudite dhe Burj Azizi në Dubai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos