“Asfalti elektoral, krim zgjedhor, Albana Vokshi padit në SPAK Ramën, Veliajn, Manastirliun dhe Ulsi Manjën

Nga A2 CNN
7 Prill 2021, 12:09 | Politikë
“Asfalti elektoral, krim zgjedhor, Albana Vokshi padit në SPAK

Kandidatja demokrate për deputete Albana Vokshi ka paditur në SPAK kryeministrin Rama, kryebashkiakun Erion Veliaj, ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe deputetin social Ulsi Manja për atë që e ka cilësuar si asfalt elektoral.

Sipas Vokshit, në disa rrugë të njësisë 9, është hedhur asfalt elektoral, duke mbyllur kanalizimet dhe duke rrezikuar përmbytjen e shtëpive dhe të rrugëve. Ajo thekson se Kodi Zgjedhor i ndalon punime të tilla gjatë fushatës dhe për këtë arsye, ato kryhen pa tabela dhe natën.

“Ky është një krim elektoral. Pas 8 vjetësh qeverisje të dështuar të Edi Ramës, qytetarët e kanë kuptuar se ky asfalt elektoral nuk u përmirëson jetesën, por siç thanë edhe banorët, ka sjellë më shumë probleme nga bllokimi i kanalizimeve. Ftoj SPAK të hetojë pa vonesë këtë shkelje të ligjit, që dënohet nga 1-5 vjet burg”, tha Albana Vokshi, e cila shpresën më të madhe e ka te qytetarët.

“Ftoj qytetarët që më 25 prill të dalin e të votojnë për ndryshimin, në mënyrë që çdo abuzues, duke nisur nga Edi Rama, Ogerta Manastirliu, Erion Veliaj dhe kushdo të shkojnë para drejtësisë”, u shpreh Albana Vokshi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos