Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar pretendimet se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur rol në organizimin apo nxitjen e protestave në Shqipëri.
Në mbledhjen e 64-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka thënë se subjekti që drejton është forcë qeverisëse dhe jo protestuese, shkruan A2.
“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t'ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë. Por, të dashur delegatë, Këshill i Përgjithshëm dhe aktivistë e anëtarë të tjerë, ne jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese. Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonim. Nuk i kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e hedhjes gurit e fshehjes së dorës dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve, as nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë ndokush tjetër, por as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët. Ne jemi në krye të qeverisjes së Republikës së Kosovës, e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian apo për arritjet e ekonomisë dhe të turizmit në Shqipëri”, ka deklaruar Kurti. (A2 Televizion)