AstraZeneca: Vaksina është e sigurt

Nga A2 CNN
15 Mars 2021, 15:35 | Bota
AstraZeneca: Vaksina është e sigurt

Astrazeneca thotë se pas analizimit të të dhënave nuk ka gjetur prova se vaksina e saj kundër koronavirusit shkakton mpiksje gjaku. Kompania britaniko-suedeze doli me një deklaratë pasi Irlanda dhe Holanda iu bashkuan listës së vendeve që po pezullojnë përdorimin e vaksinës.

"Një rishikim i kujdesshëm i të gjitha të dhënave të sigurisë nuk ka nxjerrë prova të një rreziku në rritje të mbolizmit pulmonar, trombozës së thellë të venave ose trombocitopenisë, në asnjë grupmoshë, gjini, grupim apo vend të veçantë", thonë përfaqësuesit e kompanisë.

AstraZeneca tha se të paktën 17 milionë qytetarë në Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe kanë marrë një dozë të vaksinës, ndërsa më pak se 40 raste të mpiksjeve të gjakut janë raportuar javën e kaluar.

Rregullatori britanik, vend i cili ka vaksinuar mbi 11 milionë njerëz me vaksinën e Astrazenecas u bën thirrje qytetarëve në vend, të marrin vaksinën kur të vijë radha e tyre. Kryeministri Boris Johnso tha se vaksina ishte e sigurt.

“Ne kemi një prej agjencive rregullatore më me eksperiencë e më strikte në botë. Ajo nuk sheh asnjë arsye që ne të ndërpresim programin e imunizimit me asnjë prej vaksinave që kemi në dispozicion. Ato të gjitha jan të sigurta e të efektshme jo vetëm në parandalimin e hospitalizimeve, por edhe të sëmundjes së rëndë”, u shpreh ai.

Përveç vetë kompanisë, Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se nuk ka asnjë tregues që rastet e mpiksjes ishin të lidhura me vaksinën.

Vendimi për pezullimin e përdorimit të vaksinës në një sërë vendesh europiane, përfshirë Norvegjinë, Bullgarinë, Rumaninë e Danimarkën, ka çuar në vonesa të mëtejshme të furnizimit të Europës me vaksinën e Astrazenecas. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos