Një avion personal elektrik, që mund të ngrihet dhe të ulet vertikalisht, pa pasur nevojë për licencë piloti. Kjo është risia që po zhvillon kompania amerikane e hapësirës ajrore Pivotal, me seli në Silicon Valley. I quajtur Helix, mjeti fluturues është projektuar për një person dhe synon t'u japë mundësinë edhe personave pa përvojë në aviacion të fluturojnë të vetëm.

Ndryshe nga avionët tradicionalë, Helix nuk ka nevojë për pistë. I gjithë trupi i tij rrotullohet për të realizuar ngritjen dhe uljen vertikale, përpara se të kalojë në pozicionin horizontal gjatë fluturimit. Sistemi përbëhet nga 16 helika elektrike, të vendosura në dy krahë paralelë, të cilat mundësojnë ngritjen e mjetit me hundën përpara.
Helix mund të arrijë një shpejtësi maksimale lundrimi prej 106 kilometrash në orë, ndërsa autonomia e tij është rreth 32 kilometra, shkruan A2 CNN. Bateritë karikohen edhe përmes prizave të zakonshme të shtëpisë. Sipas kompanisë, një karikim kërkon rreth 75 minuta me furnizim 240 volt ose katër orë e gjysmë me 120 volt. Kostoja e energjisë për një fluturim llogaritet nga 1 deri në 2 dollarë.

Një tjetër avantazh është zhurma më e ulët krahasuar me helikopterët. Në lartësinë rreth 46 metrash, Helix prodhon afërsisht 70 decibel zhurmë.
Mungesa e kërkesës për licencë piloti lidhet me klasifikimin e tij në kategorinë Part 103 Ultralight të rregullave federale amerikane të aviacionit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se mund të fluturohet pa kufizime. Ai nuk lejohet në hapësira ajrore të mbipopulluara, mbi zona urbane me dendësi të lartë apo gjatë natës.
Përpara fluturimit, përdoruesit duhet të përfundojnë një program të detyrueshëm trajnimi, i cili përfshin simulatorë virtualë, ushtrime për situata emergjente dhe tetë fluturime praktike. Programi zgjat zakonisht pesë ditë, por mund të përfundojë edhe brenda tri ditësh.
Çmimi fillestar i Helix është 190 mijë dollarë, ndërsa piloti duhet të peshojë jo më shumë se 100 kilogramë dhe të mos jetë më i gjatë se rreth 2 metra.
Megjithatë, ekspertët ngrenë pikëpyetje për përdorimin e tij të gjerë, për shkak të çmimit të lartë, autonomisë së kufizuar dhe kapacitetit për vetëm një person.
Pivotal po shqyrton edhe përdorime përtej argëtimit, përfshirë shërbimet e emergjencës dhe ushtrinë. Në gusht, një mjet i kompanisë u përdor nga një ekip mjekësor në dy ndërhyrje emergjente në SHBA. Kompania po përfundon testimet përpara nisjes së dorëzimeve të para, të planifikuara për vitin 2027. (A2 Televizion)