Me mijëra persona janë evakuuar në Sidnej dhe Uellsin e Ri Jugor në Australi, pasi kontinenti është duke u përballur me përmbytje të mëdha, të cilat vlerësohen se ndodhin një herë në 100 vjet.
Më shumë se 1500 persona kanë telefonuar për ndihmë, ndërsa me qindra shkolla janë mbyllur.
Lumenjtë Hawkesbury, Nepean dhe Colo, të cilët kanë rritur ndjeshëm prurjet, janë kthyer në një kërcënim tejet serioz për zonat në perëndim të Sidnejt. Të shtunën, diga Warragamba, burimi kryesor i ujit i qytetit Sidnej, u tejmbush për herë të parë në shumë vite. Dhjetëra persona janë shpëtuar nga vërshimet e ujit në Uellsin e Ri Jugor, ndërsa rrugët kryesore mbesin të mbyllura në këtë zonë.
Lajmi i keq vjen edhe nga autoritetet e meteorologjisë, të cilat parashikojnë se situata do të vijojë, të paktën deri të enjten, me reshje të dendura shiu. (A2 Televizion)