Ballkani i Hapur, Nezir Kraki: Nuk ofron asnjë zgjidhje për Shqipërinë, synohet defaktorizimi shqiptar në rajon

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2021, 21:40 | Politikë
Ballkani i Hapur, Nezir Kraki: Nuk ofron asnjë zgjidhje për

Asnjë zgjidhje dhe asnjë alternativë nuk ofron Ballkani i hapur për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë përfundim ka arritur analisti Nezir Kraki, sipas të cilit kjo nismë erdhi si ide e Serbisë me synimin e vetëm, defaktorizimin e shqiptarëve në Ballkan. Në studion e “Absolut 4” në A2 CNN ai tha se Serbia është superfuqi në rajon dhe nuk ka interesa të njëjta me Shqipërinë e Kosovën.

“Ballkani i hapur erdhi si opsioni B për shfrytëzim politik ballkanik, si karburant për liderët gati despotikë në disa vende që janë në pushtet, të cilët përfituan nga vakumi që u krijua me çrregullimin e presidencës Trump. U krijua një vakum 5-vjeçar që i la ballkanasit të bënin sipas qejfit të tyre. Serbia e dha këtë ide që të hapemi lokalisht në Europë. Serbisë nuk i intereson hapja ndaj Shqipërisë e Kosovës. Serbia është superfuqi në këto 6 vende në rajon dhe nuk i ka interesat e njëjta me Shqipërinë e Kosovën”.

Sipas tij Shqipëria dhe Kosova kanë asnjë interes nga kjo nismë, pasi kanë qasje në tregje dhe nuk janë fuqi industriale, përkundër Serbisë që është i vetmi vend në Ballkan që prodhon.

“Për çfarë do t’i interesonte Shqipërisë, tregjet janë të qasshme, Shqipëria nuk është fuqi industriale. I vetmi vend në Ballkan që prodhon është Serbia. Tregu serb është i qasshëm dhe tregu i Kosovës. Nuk ka ndonjë arsye dhe bllokadë penguese për ta intensifikuar shkëmbimin rajonal. Serbia me këtë ide ka tjetër synim. Synimi i kahershëm që është eklipsimi i shqiptarëve në Ballkan dhe defaktorizimi i tyre. Rama fatkeqësisht ia ofroi këtë mundësi dhe marrja direkt Beograd-Tiranë për të zgjidhur çështjet e shqiptarëve dhe serbëve si ideja për copëtimin e Kosovës që fatmirësisht dështoi. Open Balkan nuk mund të jetë alternativë se nuk zgjidh. Opsionet që ofron mes nevojave dhe zgjidhjeve nuk e gjejmë në asnjë pikë, sepse nuk sjell diçka konkrete. Serbia është prezente në Ballkan  ekonomikisht me shumë se çdo vend tjetër. Askush nuk e ndal Shqipërinë të eksportojë drejt Serbisë e Bosnjës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos