
Diplomati Agim Nesho dhe analisti Ben Andoni radhitën në “Debat” nga Alba Alishani përfitimet e Serbisë nga iniciativa e Ballkanit të hapur.
“Serbia nuk ka hequr dorë kurrë nga ambicia e saj për të qenë fuqi dominante në Ballkan. Nacionalizmi primitiv serb ka shkuar deri në masakra dhe gjenocid. Vuçiçi i qëndron prioriteteve kryesore serbe: të bëhet fuqi dominuese ekonomike dhe të mos njohë Kosovën”, deklaroi Nesho.
Nga ana e tij, Andoni theksoi: “Problemi është se sa e domosdoshme është Shqipëria për Ballkanin e Hapur, duke u nisur nga kapacitetet që ka. Unë mendoj që është shumë e dobishme për interesat e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi dalin menjëherë në Adriatik. Çfarëdo pozicioni që të mbajë Kosova, thjesht që nuk është prezente aty, nuk duhet përmendur në asnjë rast me konotacion negativ. Por, për t’u kthyer te Ballkani i Hapur, serbët dhe maqedonasit janë shumë të prirur ta shfrytëzojnë Shqipërinë për interesat e veta”.
“Është një marrëveshje që është si një foshnje që ka lindur e pashëndetshme. Në pjesën gjeopolitike, nuk mendoj që Serbia ka fuqi që të realizojë planet e veta. Problemi është që sa do ta gjejnë gjuhën shqiptarët me njëri-tjetrin. Nëse nuk e gjejnë gjuhën, Serbia ka fituar më shumë sesa do të fitonte me Serbinë e madhe”, shtoi Andoni. (A2 Televizion)