Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi edhe njëherë për situatën e krijuar me djegien e mbetjeve prej 4 ditësh në zonën e Fierit, të cilën ai e konsideroi një katastrofë mjedisore.
Sipas kreut të PD-së, mbeturinat po digjen vetëm që të justifikojnë më pas pagesa të majme inceneratorëve me aksionerë mafien dhe qeveritarët e korruptuar.
Lulzim Basha ftoi edhe njëherë SPAK që të reagojë sa më shpejt në lidhje më këtë situatë.
“E njëjta skemë kriminale si në Durrës e Kavajë. Digjen plehrat, helmohen familjet, vetëm që të justifikojnë më pas pagesa të majme inceneratorëve me aksionerë mafien dhe qeveritarët e korruptuar. Viktimat janë njerëzit që helmohen dhe vidhen. Hesht drejtësia, edhe pse ka muaj që PD-ja ka depozituar në SPAK faktet: mbi 400 milionë euro të taksave të shqiptarëve që qeveria ia ka dhuruar inceneratorëve. Censurohet media: heshtje e blerë nga mafia e inceneratorëve. Kështu e do regjimi Shqipërinë: pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Prandaj shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton. Demokracia vdes në heshtje. Koha për të ngritur zërin! Për veten tuaj, për fëmijët dhe shëndetin e familjeve tuaja. Për taksat tuaja të vjedhura dhe të drejtat tuaja të dhunuara”, shkruan Basha. (A2 Televizion)