30 mijë banorë përfitojnë nga stacioni i ri në Fier, Karakaçi inspekton punimet

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2026, 15:57 | Ekonomi

Ministri i Energjisë, Enea Karakaçi ka inspektuar pasditen e sotme punimet në nënstacionin e ri elektrik “Fier 2”.

Nënstacioni ka një kapacitet prej 100 MË dhe ndërtimi i tij ka përfunduar në masën 99%, ndërsa kanë mbetur vetëm disa punime të vogla për t'u sistemuar. Ai është pajisur me dy transformatorë dhe do të shërbejë si një nyje e rëndësishme për rrjetin e shpërndarjes dhe atë të transmetimit.

Sipas ministrit ky investim që synon të përmirësojë sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike për rreth 30 mijë banorë të qytetit të Fierit dhe zonave përreth, si edhe do të përballojë kërkesat për energji nga bizneset, bujqësia dhe zhvillimi i zonës.

Paralelisht me këtë investim, po ndërtohen 10 fidra të rinj, shtatë prej të cilëve do të lidhen me rrjetin ekzistues, duke krijuar mundësi alternative furnizimi në rast defektesh. Tre fidra të tjerë do t'i shërbejnë zonës së rrethrrotullimit të Mbrostarit dhe territoreve përreth, duke mbështetur zhvillimin e bizneseve, serave dhe agroturizmit.

Gjatë inspektimit u bë e ditur se vetëm gjatë viteve 2023-2026, në qarkun e Fierit janë ndërtuar 800 kilometra linja të reja dhe janë ndërtuar ose rikonstruktuar 165 kabina elektrike. Investimet do të vijojnë edhe gjatë vitit 2027, me synimin për të rritur kapacitetet e rrjetit dhe për të përballuar kërkesën në rritje për energji, përfshirë atë nga parqet fotovoltaike.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos