
Nga kritikët e Open Balkan, nënvizohet gjithmonë fakti që Open Balkan ngjan shumë iniciativave rajonale si CEFTA, që nuk përmbushën pritshmëritë fillestare. Por çfarë i pengoi këto vende që të përmbushin bashkëpunimin mes tyre?
Sipas ekonomistit dhe pedagogut Azmi Stringa, “bashkëpunimin me rajonin ne mund ta bëjmë edhe në kushtet e sotme, duke përthithur direktivat, harmonizuar legjislacionin, pa këtë ombrellën e Open Balkan”.
Ai shkon edhe më tej, duke vënë në diskutim edhe rëndësisë specifike të një bashkëpunimi mes Serbisë dhe Shqipërisë që sipas tij nuk justifikohet as historikisht.
“Çfarë na bashkon me Serbinë, fakti që jemi ngelës në klasë. Ne nuk kemi lidhje ekonomike me atë zonë nga prehistoria. Shqipëria partnerin më të madh, me gati 60% ka Italinë, kurse Bosnja, Mali i Zi janë tërësisht të lidhur me Serbinë, që ndërkohë sheh nga Gjermania dhe ka kontributin e Rusisë. Pra, nuk kemi as lidhje as ekonomike as historike me atë zonë”, thotë pedagogu, që për Shqipërinë sheh një të ardhme që “me apo pa BE-në, Shqipëria do të lidhet gjithmonë me vendet mesdhetare, veçanërisht me Italinë”. (A2 Televizion)