
Bashkimi Europian po godet Rusinë me sanksionet më të ashpra ndonjëherë, për ta dënuar për sulmin ndaj Ukrainës. Brukseli propozoi një embargo ndaj naftës, për të ulur ndjeshëm varësinë nga Moska.
“Sot ne po trajtojmë varësinë tonë nga nafta ruse. Le të jemi të qartë: nuk do të jetë e lehtë sepse disa vende anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Por ne thjesht duhet ta bëjmë këtë. Kështu që sot do të propozojmë ndalimin e të gjithë naftës ruse nga Europa. Ky do të jetë një ndalim i plotë i importit për të gjithë naftën ruse, në det dhe tubacione, të papërpunuar dhe të rafinuar”, u shpreh presidentja e KE, Von Der Leyen.
Në shënjestër të sanksioneve përfunduan zyrtarët e lartë ushtarakë dhe individët që kryen masakrat dhe krimet e luftës në Bucha dhe Mariupol. Gjithashtu edhe bankat më të mëdha të Rusisë, me qëllim që të goditet sistemi financiar i Putinit që furnizon masakrat dhe shkatërrimin në Ukrainë.
“Më në fund do të heqim Sberbank nga sistemi SWIFT. Sberbank është banka më e madhe e Rusisë dhe zotëron 37 për qind të të gjithë sistemit bankar. Gjithashtu do të heqim nga sistemi SWIFT edhe banka të tjera të mëdha të Rusisë”, shtoi Von der Leyen.
Edhe mjetet e propagandës janë në listën e masave për të ndëshkuar Moskën.
“Ne po ndalojmë tre transmetues të mëdhenj shtetërorë rusë nga valët tona. Ata nuk do të lejohen të shpërndajnë më përmbajtjen e tyre në Bashkimin Europian, në çfarëdo forme apo mënyre qoftë në kabllor, nëpërmjet satelitit, në internet ose nëpërmjet aplikacioneve të smartfonëve. Ne i kemi identifikuar këto kanale televizive si zëdhënëse, që përforcojnë gënjeshtrat dhe propagandën e Putinitnë mënyrë agresive”.
Brukseli propozon edhe sanksione ndaj kreut të Kishës Ortodokse të Rusisë, Patriarkun Kirill, i cili ka mbështetur atë që Putin e konsideron një “operacion special ushtarak” në Ukrainë. (A2 Televizion)