
30 vite nuk kanë mjaftuar për Shqipërinë si Europa. Të rinjtë duan të ikin pasi nuk e shohin të ardhmen në vendin e tyre. Konstatimin e bën vetë përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Tiranë, në Ditën Kombëtare të Rinisë.
Luigi Soreca tha se gati gjysma e të rinjve synojnë largimin, ndërsa zgjidhja, sipas tij, duhet gjetur këtu nga përpjekjet e të rinjve të sotëm, ashtu si 30 vite më parë.
“Rinia juaj është në një situatë emergjente. 40% e të rinjve duan të ikin. Zgjedhja duhet gjetur te vizioni dhe strategjia e edukimit si dhe në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Gjithashtu, ne duhet të dëgjojmë një tjetër thirrje për gjithëpërfshirje dhe pjesëmarrje që vjen nga gjenerata e re”, u shpreh Soreca.
Gjatë një konference shkencore të organizuar nga Universiteti i Tiranës, ambasadori i Bashkimit Europian, kishte një mesazh për rininë shqiptare.
“Bëhuni ndryshimi që doni të shihni. Energjia që shoh në sytë e të rinjve nuk është e ngjashme më atë të dhjetorit të 30 viteve më pare. Si atëherë, rinia duhet të detyrojë qeverinë, institucionet që të veprojnë me ta. Si atëherë, rinia duhet të detyrojë qeverinë që të veprojë për ta. Ëshë detyra jonë t'i dëgjojmë dhe t'u japim fuqi.”
Sipas përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe drejtuesve të Universitetit të Tiranës, vitet e fundit, studentët më të mirë janë mbështetur nga projekte të rëndësishme për edukimin e mëtejshëm të tyre. (A2 Televizion)