Studiuesi i historisë: Pse na duhet dita e kujtesës së dëshmorëve të gjuhës shqipe

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2026, 19:04 | Blog

Studiuesi i historisë: Pse na duhet dita e kujtesës së

Nga Brendon Salih

Dita e kujtesës së dëshmorëve të gjuhës shqipe.

22 Nëntori 1908 nuk është vetëm një datë që shënon përfundimin e një kongresi historik, ai është simbol i një fitoreje që nuk u arrit me armë në një kryengritje apo betejë të caktuar, por me dije, guxim, penë, libra dhe sakrifica njerëzore. Në këtë ditë, shqiptarët kujtojnë Kongresin e Manastirit, ngjarjen që i dha gjuhës shqipe një drejtim të përbashkët drejt alfabetit që përdorim ne.

Sot ndryshe nga shumë të tjerë nuk do të ndalem tek ngjarja në vetvete dhe figurat e ndritura të Rilindjes Kombëtare që e jetësuan atë kongres historik, edhe pse asnjëherë nuk do ju jemi mjaftueshëm mirënjohës për sakrificën e pamatë, por dëshiroj të bëj një thirrje për reflektim, që ndoshta merr më shumë peshë dhe kuptim pikërisht në një datë të shënuar si kjo.

Ndërsa festojmë ditën e alfabetit, lind një pyetje që meriton të shtrohet me seriozitet historik dhe përgjegjësi kombëtare sipas mendimit tim : A duhet të kemi një ditë të veçantë për të kujtuar dëshmorët e gjuhës shqipe, për ata që u përndoqën, u burgosën, u internuan, u mallkuan, u shkishëruan, u torturuan dhe në disa raste u vranë, sepse guxuan dhe kërkuan të drejtën të mësonin, të shkruanin, të botonin apo të predikonin në gjuhën e tyre ?

Kjo nuk është thjesht një pyetje simbolike por një çështje e kujtesës sonë historike, e drejtësisë ndaj të shkuarës dhe e mënyrës se si një komb nderon ata që i kanë dhënë zë. Lista e këtyre dëshmorëve është e gjatë dhe nuk dua të bëj padrejtësi duke lënë pa përmendur disa prej tyre në këtë shkrim. Të gjithë ata njerëz meritojnë të njihen jo vetëm si figura të Rilindjes, por edhe si pjesë e një historie sakrifice për të drejtën e shqiptarëve për të shkruar dhe mësuar në gjuhën e tyre. Një kujtesë e shëndetshme kombëtare nuk ndërtohet mbi urrejtjen ndaj një populli, feje apo komuniteti të caktuar, por mbi njohjen e dokumentuar të padrejtësive dhe mbi nderimin e atyre që u përballën me to. Por të rikthehemi tek çështja kryesore.

A duhet të krijohet një ditë e dëshmorëve të gjuhës shqipe?

Unë mendoj se po dhe kjo jo vetëm si një ide për një ceremoni të re në kalendar, por si një nismë serioze kulturore, historike, arsimore dhe institucionale. Shqipëria ka ditë përkujtimore për ngjarje të rëndësishme historike, për pavarësinë, për dëshmorët e luftërave, për figura të ndryshme etj, por sakrifica e atyre që u përndoqën për gjuhën shqipe meriton një hapësirë të veçantë, sepse ajo është, në pikëpamjen time, themeli i ekzistencës sonë kombëtare.

Një ditë e tillë do të kishte disa qëllime të rëndësishme si, rikthimin e emrave në kujtesën publike, edukimin e brezave të rinj, dokumentimin e përndjekjeve dhe nderimin e sakrificës përtej ndasive fetare. Fëmijët tanë brenda dhe jashtë vendit duhet të kuptojnë se alfabeti nuk është një trashëgimi e fituar pa kosto. Kjo duhet të jetë një ditë simbol në nder të shqipes dhe në kujtim të atyre që vuajtën për të.

Ndoshta nuk do të ishte e nevojshme të zëvendësohej dita e alfabetit. Përkundrazi, do të ishte e natyrshme që ajo të merrte një dimension më të plotë historik si dita e kujtesës dhe nderimit të dëshmorëve të gjuhës shqipe. Në këtë mënyrë, kjo datë nuk do të përkujtonte vetëm një mbledhje apo vendim të marrë në vitin 1908, por edhe një shekull përpjekjesh, vuajtjesh dhe sakrificash që e paraprinë dhe e pasuan atë. Nëse kjo ide do të shndërrohej në një nismë kombëtare, ajo nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklaratash apo ceremonish por duhet të shoqërohet me një projekt konkret dhe afatgjatë institucional. Më poshtë mund të ishin disa alternativa sipas mendimit tim.

1.      Regjistri kombëtar i dëshmorëve të gjuhës shqipe

Një bazë të dhënash historike, publike, me emra, biografi, dokumente, fotografi, vendndodhje, burime të verifikuara shkencore etj. Një formë muzeu digjital i historisë së gjuhës shqipe, lehtësisht i aksesueshëm për të gjithë, brenda dhe jashtë vendit.

2.       Krijimi i dekoratave ose nderimeve shtetërore për mësimdhënësit

Krijimi i një liste dekoratash, çmimesh, vlerësimesh shtetërore dhe kombëtare për mësuesit e gjuhës shqipe dhe jo vetëm, në jetë por edhe pas vdekjes, në trevat e ndryshme shqiptare për mësues me kontribute në fushën e arsimit. Kjo do të ishte një përpjekje për ti transmetuar brezit të ri vlerat kombëtare, por edhe për të nderuar kujtimin e dëshmorëve të gjuhës nëpërmjet rivlerësimit të figurës së mësuesit si model shoqëror në ditët e sotme.

3.      Memorial ose monument kombëtar

Një monument që simbolizon sakrificën për gjuhën shqipe, me emrat e personave të dokumentuar nga të gjitha trevat shqiptare dhe një mbishkrim përkujtimor ku të organizohen ceremoni kombëtare dhe shtetërore çdo përvjetor.

Kombi dhe shtetet shqiptare në shekullin ku jetojmë duhet ta rivendosin në prioritetet e tyre krijimin e kulturës së kujtesës, pra mënyrës se si një shoqëri ruan, transmeton dhe respekton marrëdhënien e saj me të kaluarën dhe me historinë, pasi ajo luan një rol qendror në identitetin kolektiv dhe mendimin politik. Alfabeti ynë nuk është thjesht një bashkim prej 36 shkronjash. Pas çdo shkronje që shkruajmë lirisht sot, qëndron historia e atyre që luftuan që shqipja të mos heshtë. Shqipëria dhe shqiptarët duhet të përulen me respektin më të thellë para atyre që e mbrojtën gjuhën shqipe, edhe kur mbrojtja e saj u kushtoi jetën. Një komb që nderon gjuhën e tij, duhet të nderojë edhe ata që e jetësuan atë.

Studiuesi i historisë: Pse na duhet dita e kujtesës së (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos