
Nga Enver Robelli
Ngjarje interesante...
Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Aleksandër Darçiev, ka vdekur papritur në moshën 66-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Jashtme ruse, pa dhënë hollësi për shkakun apo vendin e vdekjes.
Darçiev ishte emëruar ambasador në Washington në mars 2025. Më parë kishte shërbyer si ambasador në Kanada dhe kishte punuar për shumë vjet në diplomacinë ruse në Amerikën e Veriut.
Vdekja e tij rikthen në kujtesë rastin e Vitalij Çurkin, ambasadorit rus në Kombet e Bashkuara, i cili vdiq papritur në New York më 20 shkurt 2017, një ditë para ditëlindjes së tij të 65-të. Sipas Reuters, një zyrtar amerikan kishte deklaruar atëherë se Çurkin kishte pësuar sulm në zemër.
Në nëntor 2016, në New York kishte vdekur edhe Sergej Krivov, punonjës i sigurisë në konsullatën ruse. Trupi i tij ishte gjetur në ndërtesën e konsullatës me një dëmtim në kokë. Autoritetet ruse kishin deklaruar se shkaku ishte sulmi në zemër.
Një tjetër rast ishte vdekja e Mihail Lesinit, ish-ministër i Vlladimir Putinit dhe themelues i televizionit RT. Ai u gjet i vdekur në një hotel në Washington në vitin 2015. Hetimet amerikane konstatuan se kishte vdekur nga dëmtime të shumta të shkaktuara nga goditje në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit. Më vonë autoritetet amerikane njoftuan se ai kishte vdekur nga helmimi me etanol dhe se fjala ishte për një aksident. (A2 Televizion)