
Nga Enver Robelli
Ka vende që nuk u bëhet vonë për asgjë. Për shembull: Bullgaria. Brenda 5 viteve ky vend i ka mbajtur 8 palë zgjedhje parlamentare. Tri herë në vitin 2021, nga një herë në vitet 2022 dhe 2023, si dhe dy të tjera në vitin 2024.
Koalicionet qeveritare janë shpërbërë pak pasi kanë nisur punën. Rregull janë bërë qeveritë e përkohshme, të cilat nuk qeverisin, vetëm administrojnë. Në fundjavë sërish do mbahen zgjedhjet parlamentare. Sipas anketave, shanset për të dalë partia e parë i ka grupacioni "Bullgaria Progresive", i kryesuar nga ish-presidenti Rumen Radev, ish-pilot i avionëve luftarakë, nxënës i shkollës sovjetike dhe mirëkuptues i Vlladimir Putinit (ose thënë më qartë: i politikave imperialiste ruse).
Kur e shikon Bullgarinë, ndonëse e pakrahasueshme me Kosovën ku të gjitha partitë kanë orientim properëndimor, megjithatë imponohet pyetja: a po bëhet Kosova, sa i përket kulturës politike, njëfarë Mini-Bullgarie?
Politikanë e politikane të paaftë për kompromis. Të gjithë me një agjendë: si t'ia fusin thikën tjetrit. Të frustruar dhe të frustruara që dirigjojnë kope digjitale apo tarakë tastaturash për thurje legjendash, teorish konspiracioni, ngritje kurthesh, duke demonstruar tendenca për të kontrolluar çdo gjë, huliganë mendjehumbur partiakë dhe nëntokësorë që bërtasin 24 orë me qëllim të komercializimit të urrejtjes.
Politikanët e korruptuar (shumica) dhe të paaftë (gati të gjithë) kanë lënë gjurmë në Bullgari: më 1989 ky vend kishte 9 milionë banorë, tani mezi 6,4 milionë. Kurrsesi nuk ishte më mirë në komunizëm, por ajo kohë është harruar. Pyetja është kjo: si e keqpërdorën politikanët demokracinë, ekonominë e tregut të lirë, lirinë e shprehjes për ta shtrirë për toke një popull dhe një vend?
Rreziku është i madh që Kosova të rrëshqas në drejtimin bullgar. Sepse në një vend ku asnjë politikan/e nuk i beson tjetrit dhe ku egoja është më e lartë se Maja e Gjeravicës, s'është befasi që masa e gjerë të topitet ose të mendojë vetëm për largim nga vendi. Në ditët e ardhshme do të shihet e dihet nëse zgjedhësit në Kosovë do t'u drejtohen sërish kutive të votimit. Për satën herë?
Për ta mbyllur me një anekdotë nga Bullgaria komuniste (natyrisht me një aludim në kohën e sotme në Kosovë):
Një burrë priste me orë të tëra në radhë për mish. Pas disa orësh humbi durimin dhe tha: “Mjaft më! Po shkoj t’i jap një shuplakë ministrit!”
Shkoi dhe as pak kohe u kthye dhe u fut prapë në radhë.
Shokët e pyetën: “E çfarë ndodhi, ia dhe shuplakën?”
Ai u përgjigj: “Jo… atje radha ishte edhe më e gjatë". (A2 Televizion)