Nga Prof. Fadil Maloku
(Ose; Kompanitë dhe moderatorët e exit polleve me matjet e tyre të dështuara, përveç humbjes së kredibilitetit moral e etik, kanë avulluar edhe besimin qytetar e në veçanti kompetencën e marrjes me këtë zanat të ndjeshëm në këtë periudhë akute të shtendërtimit tonë...)
1. Exit polli, si instrument dhe metodë e besueshme deri diku, nëse përdoret për qëllime shkencore dhe me një etikë të lartë profesionale, mund të shërbejë si një “road map” i rëndësishëm i paralajmërimit të hershëm për prirjet e votuesve gjatë procesit të votimit. Shikuar me dioptrinë e sociologjisë politike, kur exit poll-i realizohet sipas standardeve shkencore, ai mund të shërbejë edhe si një mekanizëm shumë i besueshëm i “perceptimit publik të realitetit politik” të një vendi gjatë procesit zgjedhor. Nëse është i qëllimmirë, ai mund të rrisë dukshëm transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjësinë në demokracitë në tranzicion. Por, i njëjti mund edhe ta deformojë realitetin, nëse përdoret për qëllime djallëzore dhe si mjet propagande apo legjitimimi të parakohshëm të pushtetit.
2. Tani, nëse exit polli nuk ka për synim matjen reale të preferencave të votuesve menjëherë pas votimit, por përdoret apo “shitet” në publikun tonë thellësisht të polarizuar dhe të politizuar, si një autosugjestion i qëllimshëm për të dezorientuar elektoratin, veçanërisht në komunat që shkojnë në balotazh dhe zgjojnë kureshtje në publik, atëherë ai mund të bëhet shumë i rrezikshëm dhe të deformojë si orientimin, ashtu edhe preferencat elektorale të qytetarëve të komunave përjatëse. Andaj, e them publikisht; Mos u bazoni tepër në këto matje, sepse shumë prej tyre janë të paguara mirë për të “aktivizuar” defetizmin dhe për të krijuar një perceptim të rremë tek votuesit e luhatshëm, e madje edhe tek militantët partiakë.
3. Po ashtu, jam shumë i bindur se ky lloj defetizmi më së shumti ndez elektoratin e pasigurt dhe të pavendosur për peshën dhe rëndësinë e votës së tij.
E them me kompetencë morale dhe etikë shkencore se exit-pollet në shoqërinë tonë ende gjenden në “prangat” e subjekteve që i paguajnë, për t’u fuqizuar përmes interesave klanore, grupore e ideologjike. Ngase, këto interesa si faktorë bazikë që e përcaktojnë edhe pjesëmarrjen politike ndërlidhen pa asnjë dyshim me dukuritë e tenderomanisë, klientelizmit, varfërisë së lartë dhe me pasigurinë ekonomike që po mbretëron qe sa kohë në jetën tonë sociale...
P.S. Në demokracitë e brishta siç jemi ne, exit-pollet nuk duhet të mbrojnë interesat klanore të partive dhe grupeve të interesit, por kanë obligim moral dhe detyrim shtetëror të dëshmojnë të vërtetën për prirjet dhe orientimet reale të qytetarëve. Ngase, vetëm kështu e fitojnë kredibilitetin moral, etik e shkencor për t'u besuar... (A2 Televizion)