Nga Endrit Shabani
Shikoje pak: një tufë celularësh mbi kokat e familjarëve që po varrosin djalin!
Skandaloze! Ky nuk është koncert. Është varrim. Dhe këto celularë tregojnë që po vrasim respektin për jetën
Sigurisht, ka shumë që filmojnë për familjarët që janë larg. Ne jemi kthyer në një komb emigrantësh, që si dasmën edhe varrimin e ndjekim nga Whatsappi.
Por kur turma filmon vdekjen e një njeriu të famshëm, motivi nuk besoj se është më nga malli, por nga halli për të qënë pjesë.
Kjo është FOMO (Frika për të mos Humbur Rastin) në formën e saj më të shëmtuar. Është nevoja dëshpëruese për konfirmim publik, për të thënë “isha dhe unë”.
Është presioni i një kohe ku çdo eksperiencë, nga lindja te vdekja, kthehet në një ‘content’ për t’u postuar, duke u matur me numrin e like-ve.
Duke e parë jetën nga ekrani, ne po largohemi nga çdo gjë që na ndodh. Po bëhemi turistë të dhimbjes apo gëzimit të njëri-tjetrit.
Prandaj, nëse më lexon, ule atë dreq telefoni. Përqafoni njëri tjetrin. Jeta është më shumë se një ‘story’. (A2 Televizion)