
Reflektimi dhe analiza e humbjes së PD-së në zgjedhjet e 25 prillit duhet të fillojë në momentin e mbylljes së numërimit. Kështu u shpreh në studion e Ditarit në A2 CNN përfaqësuesi demokrat, Gerti Bogdani. Sipas tij, duhet analizuar pse ajo frymë që ishte kundër qeverisë, nuk u përkthye në votë. Ai shton se penalizuese ishin edhe votat e pavlefshme që janë 80 mijë, por edhe ndryshimi i fletës së votimit nga emra në numra, ndërsa thekson që duhen lista të hapura plotësisht dhe jo gjysmë.
“Duhet të presim të mbarojë procesi i numërimit, ka një trysni e presion dhe ka pasur edhe incidente, pavarësisht se PS-ja është në pushtet. Refleksioni dhe analiza duhet të fillojë në momentin e mbylljes së numërimit. Çfarë nuk shkoi mirë? Organizimi duhet të ishte ndryshe. Pse nuk u përkthye në votë e gjithë ajo frymë kundër qeverisë. Sepse janë 80 mijë vota të pavlefshme, se fleta u ndryshua nga emra në numra për të minimizuar PD, kjo ishte penalizuese për palët, por sidomos për PD. Emrat tanë ishin më të mirë se ata që kishte Rama, ku individë të ndryshëm kanë lidhje me krimin, është për t’u parë vota preferenciale që nuk i dha shanse PD-së për të votuar deputetin që duan. Është një risi dhe tregues për të ardhmen. Duhet listë e hapur e plotë. Rama vendosi që ta bëjë gjysmë të mbyllur për shkak të Kosovës, ku Vjosa Osmani kandidoi e 82-a dhe doli e para me votë. Këtë shembull duhet të kishim ndjekur edhe këtu”.
Edhe pse i rezervuar në deklaratat e tij sa i takon zërave për largimin e Bashës nga drejtimi i PD-së, Bogdani theksoi se këto zëra do të shtohen në ditët në vijim, por thotë se duhet të presim në respekt të numëruesve. Sipas tij, është koha që PD të ngrihet më e fortë dhe për të mirën e shqiptarëve.
“Duhet të ketë zëra të tjerë vijim se PD-ja është grupim i madh. Nuk është momenti. Të mbyllet procesi i numërimit në respekt të numëruesve që po sakrifikojnë edhe pse rezultati është humbës. Do të ketë zëra të shumtë dhe është padiskutim koha për reflektim që PD-ja të ngrihet më e fortë edhe për të mirën e shqiptarëve. Është shumë shpejt, të gjithë jemi në të njëjtin hap si ata që kërkojnë dorëheqjen dhe qëndrimin. Çdo individ në politikë ka ambicie personale, por qëllimi është për të forcuar PD-në. Uroj që janë për të mirën e partisë në tërësi dhe duhet parë në ditët në vijim se çfarë i bën mirë PD-së sot dhe nesër”.
Dhe në këtë kontekst ai sugjeron hapjen e PD-së, kurse për të larguarit thotë se dera për ta nuk ka qenë e mbyllur, por kjo varet nga vullneti i gjithsecilit.
“PD-ja duhet të hapë dyert dhe të gjithë duhet të bëhemi bashkë, se ky vend ka ende njerëz të mirë. Zgjedhjet e radhës janë në fund të verës se gara e fundit Basha-Selami ka qenë në korrik-gusht 2017. PD-ja ka treguar se bën garë të ndershme. Besoj që kjo është traditë e vendosur, ku anëtarësia fiton. Mandati i kryetarit është 4-vjeçar dhe ka kohë për të marrë vendimet e duhura. Figura ka plot, por kur hapet dera mund të ketë edhe risi, ka individë të fortë. PD nëse do ishte një garë do të ishte e fortë dhe interesante të ishte një proces për të mirën dhe ringritjen e PD. Dera për të larguarit ka qenë gjithnjë e hapur, dora e bashkëpunimit e shtrirë, marrëdhënie e dyanshme. Nuk ka qenë totalisht e mbyllur, por është vullneti i gjithsecilit për të treguar se ku do të qëndrojë. Duhet bërë analiza, reflektim i thellë dhe total si ndryshohen sistemet brendapartiake të meritokracisë, jo thjesht demokratëve. T’i japim atë që meriton PD-së dhe Shqipërisë”.
Bogdani thekson se ky proces zgjedhor ishte me votë të manipuluar, ndërsa këto sipas tij janë zgjedhjet më të shtrenjtat në histori. Mandatin e tretë të socialistëve e sheh si përgjegjësi të madhe, por edhe si vullnet të shtrembëruar të zgjedhësve.
“Është e qartë që ky është një proces zgjedhor me votë të manipuluar, administrata u bë me presion dhe lekë pafund janë hedhur. Këto janë zgjedhjet më të shtrenjta në histori, jo vetëm nga buxheti i shtetit, por janë hedhur edhe para nga krimi. Është një rezultat me përgjegjshmëri të madhe, që mos të thellojnë gropën ekonomike se janë aty për shkak të vullnetit të shtrembëruar të zgjedhësve”. (A2 Televizion)