
Kur gjithçka dukej sikur do të përfundonte në një mosmarrëveshje, midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian ka rifilluar intensivisht dialogu për të dakordësuar mbi Brexit, afati i të cilit është 31 tetori.
Sinjali i parë u dëshmua të enjten në takimin midis kryeministrit britanik Boris Johnson dhe kolegut irlandez Leo Varadkar ku palët deklaruan se “mund të shihej një shteg drejt një marrëveshje të mundshme”.
Për herë të parë, një mundësi Brexit me marrëveshje duket si një alternativë realisht e mundshme. Në takimin mes dy liderëve, edhe pse nuk ka patur një zbardhje të diskutimeve, Johnson ka siguruar kolegun se Irlanda e Veriut nuk do të ketë një kufi të fortë, me Irlandën, dhe madje do të gjendet një mënyrë për ta mbajtur të paktën përkohësisht atë në sistemin doganor europian.
Takime të vrullshme kanë ndodhur ditën e djeshme edhe midis ministrin për Brexit Stephan Barclay me kryenegociatorit e BE-së Michael Barnier, një takim i cilësuar nga palët si “i dobishëm dhe frytdhënës”.
Optimizmi po shtohet në Londër, me sterlinën që është fuqizuar ndjeshëm në tregun ndërkombëtar orët e fundit.
Gjithçka do të dakordësohet gjithsesi para takimit të Këshillit Europian ditës së premte më 18 tetor, ku në rast pozitiv Parlamenti Britanik mund të mblidhej të shtunën për të miratuar marrëveshjen. Një rast tepër i rrallë mbledhja e Parlamentit në fundjavë, e ndodhur vetëm n raste të veçanta të historisë angleze, si Lufta e Dytë Botërore, ose lufta për ishujt Falkland.
Pas deklarimit të marrëveshjes, sidoqoftë, mbetet konkrete mundësia e një periudhë transicioni që deri në fund të vitit 2020 të mos ndryshojë asgjë në përditshmërinë e personave, deri ne miratimin e marrëveshjeve specifike. (A2 Televizion)