
Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Twitter, falenderoi liderin e opozitës bullgare, Boyko Borissov, “për rolin e tij për heqjen e VETO-s” ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Sapo më telefonoi Boyko Borissov. E falënderoj pa masë për telefonatën dhe për rolin e tij për heqjen e VETO-s në Parlament. Mik i vërtetë, udhëheqës i vërtetë. Partia e tij i ruajti nderin Bullgarisë dhe Bashkimit Europian! Tani, Bashkimi Europian duhet të veprojë pa vonuar!”, shkroi Rama në rrjetin social.
Postimi i Ramës vjen disa orë pasi kryeministri reagoi ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, e cila i kërkonte të moderonte gjuhën, pas komenteve të bëra një ditë më parë në Bruksel, ku veto e Bullgarisë bëri të pamundur nisjen e negociatave për anëtarësim për të disatën herë. (A2 Televizion)