Ky është testi i parë madhor elektoral për presidentin amerikan, Donald Trump. Miliona qytetarë në Shtetet e Bashkuara kanë votuar, ndërsa miliona të tjerë u drejtohen sot kutive apo makinerive të votimit për zgjedhjet e mesit të mandatit. Sot rinovohen të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, 35 nga 100 vendet e Senatit dhe zgjidhen 36 guvernatorë.
Presidenti Donald Trump ka intensifikuar thirrjet për mobilizim të votuesve republikanë, duke deklaruar se nëse “njerëzit tanë” dalin në votime, partia do të fitojë me diferenca të mëdha. Në një tjetër sulm gjatë ditës së votimit, Trump akuzoi kandidatin demokrat për Senatin në Miçigan, Abdul El-Sayed, duke u bërë thirrje votuesve të mbështesin republikanin Mike Rogers. Në këtë front ka ndodhur dhe një tradhëti brenda demokratëve, ku ish rivalja e El-Sayed në primare ka dalë publikishte në mbështetje të kandidatit republikan, duke bërë që demokrati të rrezikojë seriozisht karrigen në Senat.
Ndërkohë, Gjykata Supreme amerikane ka rrëzuar kërkesën e administratës Trump për të veçuar 20 mijë fletëvotime me postë në Kaliforni, të cilat administrata pretendonte se mund të ishin hedhur nga persona që nuk janë shtetas amerikanë. Vendimi u mor vetëm pak orë para hapjes së qendrave të votimit dhe lidhet me debatin mbi kompetencat e qeverisë federale dhe të shteteve në administrimin e zgjedhjeve.
Procesi i numërimit do të nisë gjatë natës, ndërsa rezultatet përfundimtare për kontrollin e Dhomës dhe Senatit mund të kërkojnë disa ditë, veçanërisht për shkak të numërimit të votave me postë. Paralelisht, moti i keq dhe përmbytjet në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara kanë detyruar autoritetet të përgatisin alternativa votimi për banorët e evakuuar ose të bllokuar në Kolorado dhe Nju-Meksiko. Të gjithë janë me sytë nga Amerika dhe presin të shohin nëse rezultati do të ndryshojë balancën e pushtetit në Kongres. (A2 Televizion)