Bundesliga, Bayern gati për festën e titullit, Werder në ankth

Nga A2 CNN
16 Qershor 2020, 14:37 | Futboll
Bundesliga, Bayern gati për festën e titullit, Werder në ankth

Tri ndeshje për të luajtur deri në fund të sezonit dhe shtatë pikë avantazh nga Borussia Dortmund. Llogaritë e Bayern Munchen drejt triumfit në Bundesliga janë të thjeshta: Me fitore në ndeshjen e sotme kundër Werder Bremen, skuadra e Flick do të siguronte titullin kampion.

Ky do të ishte suksesi i tetë me radhë në kampionat për bavarezët dhe titulli i 30 në historinë e klubit.

Epilogu i sfidës përballë ekipit të Milot Rashicës duket thuajse i pashmangshëm. Werderi kërkon dëshpërimisht pikë për mbijetesën, pasi është në zonën e rënies nga kategoria, por diferencat janë shumë të mëdha.

Skuadra nga Munich ka grumbulluar dyfishin e pikëve të rivalëve dhe është përgatitur për festë. Skuadra e fundit që ka ndërprerë dominimin e bavarezëve në Gjermani ka qenë Dortmundi i Jurgen Klopp në sezonin 2011-12.

Bayerni mund të mbështetet mbi të gjithë te Robert Lewandowski, autori i 30 golave sezonalë që synon të fitojë Këpucën e Artë dhe përse jo, Topin e Artë, duke qenë se shanset në Champions mbeten të mëdha.

Në pritje të këtyre objektivave madhorë, ndërkohë në skuadër përgatiten për “mrekullinë e tetë” në kampionat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos