
Kukësi ka fituar me lehtësi ndeshjen ndaj Flamurtarit të rënë nga kategoria dhe pret në mbrëmje hapin fals të Tiranës, që luan në Durrës ndaj Teutës.
Ekipi i drejtuar nga Orges Shehi e zgjidhi ndeshjen ndaj vlonjatëve që në pjesën e parë, kur shënoi 3 herë me anë të Abazajt, Shkurtajt dhe Rrocës.
Në pjesën e dytë, Hoxhaj shkurtoi diferencën për Flamurtarin, përpara se Shkurtaj të shënonte golin e dytë personal dhe të katërtin për Kukësin, që ngushton për momentin në 6 pikë diferencën me Tiranën kryesuese.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në orën 17:00, Vllaznia dhe Bylis barazuan 2-2. Ballshiotët kaluan dy herë në avantazh me anë të Mallugjës (penallti) dhe Mozzones, por në të dyja rastet u barazuan nga Gurishta dhe Sidorenco.
Me këtë barazim, shkodranët e shohin veten në zonën “playout” me 39 pikë, një më pak sesa Bylisi.
Pas 6 fitoresh radhazi në kampionat, Skënderbeu u ndal sot në shtëpi përballë Laçit, ku nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1, i arritur vetëm në minutat e fundit të takimit.
Në sfidën që startoi në orën 18:00 në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, kurbinasit kaluan shpejt në avantazh me anë të Julian Shehut, që ekzekutoi saktë një 11-metërsh dhe mposhti portierin Koliçi.
Më pas, Skënderbeu provoi reagimin dhe krijoi një sërë rastesh, veçanërisht në pjesën e dytë, ku loja u zhvillua kryesisht në gjysmëfushën e Laçit, por goli i barazimit erdhi vetëm në minutën e 88 dhe u shënua nga sulmuesi Blerim Krasniqi. (A2 Televizion)