
Bundesliga po rikthen protagonistët e saj historikë. Me fitoren relativisht të lehtë 1-3 në transfertë të Bayernt të Mynihut ndaj Mainz, bavarezët ngjiten në kreun e klasifikimit, në pritje të ndeshjes së Lajpzigut.
Kampionët në fuqi filluan furishëm ndeshjen duke shënuar të tre golat brenda 26 minutave të parë, me anë të Lewandoskit, të “pavdekshmit” Thomas Muller dhe të një aksioni fantastik të Tiago Alkantara.
Ndërkohë, rivalët e tyre të përjetshëm, Borussia Dortmund, ende nuk i beson syve për rezultatet në fushe të norvegjezit Halaand, i cili me dygolshin e sotëm në fitoren 5-0 ndaj Union Berlinit shkon në shifrat e "frikshme" të 7 golave në 3 ndeshje, ku vetëm sot ka filluar si titullar.
Golat e tjerë u shënuan nga Sancho, Witsel dhe Reus me penallti. Për momentin, Dortmundi kthehet në vendin e tretë, në pritje të ndeshjeve që mbyllin turnin. (A2 Televizion)