Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
26 Janar 2021, 07:59 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Aksident në Vlorë, humb jetën efektivi i policisë

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një efektivi të policisë ndodhi mbrëmë rreth orës 22:00 në Vlorë. Nga aksidenti mbeti i plagosur rëndë efektivi Nuri Malaj, i cili më pas ndërroi jetë.

https://a2news.com/2021/01/25/aksident-me-vdekje-ne-vlore-humb-jeten-punonjesi-i-policise/

Lajçak në Paris, merr udhëzimet e fundit mbi dialogun Kosovë-Serbi

Kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi në BE, Miroslav Lajçak, ndodhet në Paris ku është takuar me përfaqësues të qeverisë franceze në lidhje me diskutimet mes palëve. BE gjithnjë e ka pohuar se zgjidhja përmes tij është rruga më e mirë për të dyja vendet që aderojnë për Unionin. Në një postim në rrjetin social Twitter ai shprehu mirënjohjen për bisedën produktive në Francë ku mesa duket ka marrë edhe këshillat e fundit në lidhje me procesin. "Mënyrë e mrekullueshme për të nisur javën time në Paris. Ishte një mundësi e mirë që të tregojmë pikëpamjet tona për dialogun Beograd-Prishtinë dhe vitin që kemi përpara. Jam shumë i lumtur për mbështetjen e fuqishme nga bashkëbiseduesit e mi francezë", shkroi ai.

Kriza në Itali, kryeministri Conte pritet të japë dorëheqjen

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, sot në orën 09:00 kryeministri italian, Giuseppe Conte, do të japë dorëheqjen pas humbjes së shumicës cilësuese në Senat pas largimit nga koalicioni të partisë së Matteo Renzi dhe vështirësisë për ta drejtuar qeverinë e tij, përballë sfidave që përballet vendi. Kjo lëvizje vjen në momentin kur aleati i tij në qeverisje, Luigi di Maio, kërkoi mbështetje më të madhe për Conten i cili kaloi edhe mocionin javën e kalusr dhe u shqua për përballimin më të mirë të krizës shëndetësore me koronavirusin. Fjalën e fundit e ka presidenti i vendit, Sergio Mattarella. 

Samiti i Davos, Guterres: SHBA dhe Kina ndajnë botën në dy pjesë

Bota po përballet jo vetëm me situatën emergjente për shkak të COVID-19 dhe krizën më të keqe ekonomike në pothuajse 100 vjet, por edhe “kërcënime ekzistenciale” ndaj klimës dhe biodiversitetit dhe mundësinë që ekonomitë më të mëdha, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të ndajnë botën në dy pjesë. Ky është paralajmërimi që Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, i bëri liderëve botërorë. Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Guterres ngriti shqetësimin se lufta e vendeve të pasura për të përvetësuar sasi të mëdha vaksinash duke lënë mënjanë vendet e varfra rrezikon t’u kthehet në bumerang.

Po nga i njëjti forum që po mbahet online, presidenti kinez Xi Jinping i bëri thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, që mos të lejojë krijimin e grupeve kundër Kinës, pasi një përpjekje e tillë nuk do të mënjanonte vendin e tij nga rrjetet globale ekonomike dhe teknologjike, por do të nënkuptonte nisjen e një lufte të ftohtë. “Formimi i grupeve të vogla ose fillimi i luftërave të reja të ftohta në skenën botërore; përjashtimi, kërcënimi dhe frikësimi i të tjerëve, sanksionet vetëm do ta shtyjnë botën drejt ndarjes”, tha presidenti kinez.

Pandemia, Biden telefonon Merkel: Imuniteti i tufës në verë

Telefonata e radhës e presidentit amerikan, Joe Biden, u zhvillua me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Në qendër të bisedës ishte përballimi i pandemisë së Covid-19 dhe bashkimi i forcave kundër efekteve negative që ajo ka sjellë. Pak më vonë, në takimin me gazetarët, presidenti shkon përtej premtimit të tij për 100 milionë vaksinime në 100 ditë. "Mund të kapim shifrën e 150 milionë personave brenda atij afati”, tha Biden. Dhe shkon më tej kur parashikon që brenda stinës së verës Amerika arrin imunitetin e tufës. 

Përgjimet e antimafias italiane, Bucci: Të flasë drejtësia

Lajmi i fundjavës në lidhje me përgjimet telefonike të antimafias italiane, ku një grup kriminal pretendon se ka kontakte politike të nivelit të lartë të kryeqytetit, ka vënë në lëvizje edhe ambasadën italiane në vendin tonë. Diplomati në krye të saj, Frabrizio Bucci, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale kërkoi që gjyqtarët të bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur për shqyrtimin e plotë të çdo episodi të korrupsionit apo të paligjshmërisë, nga cilido.

Teuta me Partizanin ndajnë nga një pikë, Vllaznia fërkon duart

As Partizani dhe as Teuta nuk mundën të përfitojnë nga ndalesa e Vllaznisë në javën e 16-të të Kategorisë Superiore. Dy skuadrat që ndjekin shkodranët, barazuan në ndeshjen e tyre të luajtur në stadiumin “Niko Dovana”. Sfida u mbyll në barazim 1-1. Partizani kaloi fillimisht në avantazh dhe brenda pjesës së parë skuadra durrsake barazoi me shifrat që do të mbeteshin të pandryshuara deri në fund. Një pikë për secilën skuadër që i shërben më shumë se kujtdo, pikërisht Vllaznisë e cila mban kryesimin me të njëjtën distancë, prej 9 pikësh nga të dyja skuadrat.

Partizani pritet të prezantojë sot Ferhan Hasanin

Ferhan Hasani është goditja e madhe e Partizanit për merkaton dimërore. Ylli shqiptar nga Maqedonia prezantohet paraditen e sotme si futbollist i ri i Partizanit. Hasani ishte i pranishëm në stadiumin “Niko Dovana”, në ndeshjen Teuta-Partizani. Kjo ishte ndeshja e dytë që lojtari nga Tetova e ndoqi ekipin nga tribuna, pas derbit të fituar me Tiranën. Partizani në këtë mënyrë mposht bardheblutë edhe në merkato duke qenë se shqiptari i Maqedonisë, më herët ishte në kontake me 25 herë kampionët e Shqipërisë.

Lamtumirë pas 7 vitesh, Papu Gomes largohet nga Atalanta

Pas 7 vitesh nën ngjyrat zikaltër, Papu Gomes i thotë lamtumirë Atalantës dhe është gati të nisë një aventurë të re. Sulmuesi argjentinas do të transferohet te Sevilla, me të cilët ka gjetur akordin dhe do të firmosë për 3 milionë euro në sezon, shumë më shumë nga ç’përfitonte në Itali, me kontratën që do të zgjasë deri në vitin 2024. 7.5 milionë euro ndërkohë do të depozitohen në arkat e bergamaskëve. Papu largohet nga Atalanta pas debateve të ashpra me trajnerin Gasperini prej 1 dhjetorit në Champions, që pasuan me lënien sot për disa ndeshje më vonë. Gomes lë në këtë mënyrë Atalantën, ndërsa kontribuoi në ngritjen në nivele të larta të bluzinjve përgjatë viteve të fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos