
Zona e Lëpushës në qarkun e Shkodrës po vuan prej ditësh mungesën e energjisë elektrike dhe izolimit prej dëborës. Banorët kërkojnë ndërhyrjen nga ana e Qeverisë dhe bashkisë së Malësisë së Madhe.
Ata thonë se faturat e energjisë elektrike janë të detyruar t’i paguajnë, ndërsa rrjeti i energjisë është i vjetruar aq sa gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit e kalojnë errësirë.
Reshjet e dëborës që po vazhdojnë në zonën e Vermoshit po krijojnë një situatë të vështirë për banorët e fshatrave malore në zonën e Kelmendit. Banorët e Vermoshit, Lëpushës dhe Qafës së Bredelecit bëjnë të ditur se kanë mbi 30 orë pa energji elektrike Si pasojë e reshjeve të dëborës është vështirësuar udhëtimi në aksin Gropa e Selcës Vermosh.
Ndërkohë një fadromë e Bashkisë po punon për zhbllokimin e rrugës. Sipas banorëve keqmenaxhimi i situatës nga ana e Bashkisë çon në bllokimin e rrugëve. Sipas tyre, bashkia duhet të fusë në përdorim fadromën në momentin që fillojnë reshjet e borës dhe jo kur bora ka arritur në trashësi të madhe ku zhbllokimi i rrugës bëhet i pamundur.
Përkeqësimi i motit, mungesa e energjisë elektrike dhe bllokimi i rrugëve kanë krijuar një situatë të vështirë për banorët e këtyre fshatrave. Theksojmë se interesimi i strukturave përkatëse të Bashkisë së Malësisë së Madhe apo dhe nga Shtabi i Emergjencave Civile të Prefekturës Shkodër për këtë zonë është në minimumin e mundshëm.
(A2 Televizion)