
Mielli dhe si pasojë buka, fruta-perimet, vajrat, mallrat e importit në përgjithësi, karburanti dhe sidomos gazi, përfshirë edhe shërbimet e tjera po rëndojnë gjithmonë e më shumë xhepat e shqiptarëve.
Teksa rritja e çmimeve të produkteve të konsumit shkon mesatarisht në 12 për qind, krejt ndryshe ndodh me pensionet dhe pagat.
Vetëm 390 lekë në muaj për pensionin minimal dhe 780 lekë për pensionin maksimal ishte rritja si pasojë e indeksimit të pensioneve me 2,7 për qind për herë të fundit, në 1 prill të këtij viti.
Vendimi për të rritur me 15 për qind pagën minimale që prej 1 janarit bëri që sot një shqiptar i punësuar në administratën publike të marrë mesatarisht 67,769 lekë, ndërsa në privat 50,330.
Mirëpo, nëse në përllogaritje do merrej edhe ecuria e inflacionit, rritja reale e pagave do ishte në jo më shumë se 6 për qind.
Megjithë rritjet anemike të pagave dhe pensioneve, Shqiptarët vijojnë të marrin më pak se qytetarët e Rajonit, e nga ana tjetër të paguajnë më shumë për ato çka konsumojnë. (A2 Televizion)