Covid-19 në Kukës, dasmat dhe ceremonitë mortore përhapin virusin

Nga A2 CNN
19 Gusht 2020, 11:39 | Aktualitet
Covid-19 në Kukës, dasmat dhe ceremonitë mortore përhapin

Kukësi vijon të jetë me një situatë të shtuar të rasteve pozitive me COVID-19, krahasuar kjo edhe me numrin e popullsisë. Që prej muajit korrik, në këtë qytet janë shënuar rritje të vazhdueshme dhe thuajse të përditshme të të infektuarve me virusin korona, me një tendencë rritje edhe tek moshat e reja dhe ato të mesme.

Por, pavarësisht shtimit të rasteve, ndërgjegjësimi qytetar mbetet ende larg zbatimit të masave antikoronavirus. Në mjediset e hapura publike qytetarët dalin të shoqëruar, pa respektuar distancën fizike. Edhe në mjedise të mbyllura, një pjesë e mirë e qytetarëve nuk vendosin maska mbrojtëse.

Shqetësuese vijojnë të mbeten grumbullimet pa masa mbrojtëse gjatë pjesëmarrjes në ceremonitë martesore apo ato mortore. Denisa Duraku, shefe e Epidemiologjisë pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Kukës, shprehet: “Dasmat apo varrimet nuk duhet të zhvillohen. Një numër i madh i të prekurve kanë dalë nga ceremonitë”.

Që nga rasti i parë i konfirmuar pozitiv në mesin e muajit mars e deri tani, në Kukës janë infektuar mbi 170 qytetarë, ndërsa kanë ndërruar jetë 3 prej tyre.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos