
Tre persona janë shpallur fajtorë për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” dhe janë dënuar me nga nëntë muaj burgim secili, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës.
Të dënuarit F.Ç., A.S. dhe E.Xh. administronin subjektet “FRA SYSTEM IPTV”, “4k server (Kanale.al)” dhe “Elektronika Shop”, përmes të cilave shisnin paketa televizive dhe pajisje dekoder.
Nga hetimet rezultoi se ata kishin instaluar aplikacione që mundësonin shikimin e kanaleve të Digitalb, Tring dhe platformave të tjera ndërkombëtare, pa pasur licencë apo autorizim nga operatorët që zotërojnë të drejtat e transmetimit.
Sipas Prokurorisë, aktiviteti kryhej për përfitime ekonomike, duke anashkaluar sistemet e mbrojtjes dhe të kontrollit të aksesit të platformave televizive.
Në përfundim, gjykata i shpalli fajtorë të tre shtetasit për “Mashtrim kompjuterik”, duke i dënuar me nga nëntë muaj burgim secilin. (A2 Televizion)