
Gjërat nuk po shkojnë mirë për Europën, prandaj nuk duhet të bëjmë gabime. Ky ishte paralajmërimi i ministrit spanjoll të shëndetësisë Fernando Simon, ndërsa për të dytën ditë radhazi vendi i tij shënoi më shumë se 3 mijë raste të reja me Covid-19.
Shqetësimi më i madh mbeten të rinjtë, të cilët konsiderohen si faktori kryesor i përhapjes së shpejtë, në vendin që ndërmori masa drakoniane për frenimin e pandemisë. Pas disa muajve të qetë ku regjistroheshin mesatarisht 100 raste në ditë, Spanja bëhet vendi me rritjen më të shpejtë të infektimeve, me 142 raste për 100 mijë banorë, megjithatë niveli i vdekshmërisë mbetet i ulët.
Rritje më dramatike të rasteve po përjeton Franca, e cila regjistroi 4771 infektime dhe 35 vatra të reja në 24 orë. Ministria e Arsimit tha se kur shkollat të rihapen pas dy javës, nxënësit mbi 11 vjeç do të duhet të mbajnë maska gjatë mësimit, ashtu si edhe mësueset apo edukatoret.
Kurba po ngrihet me shpejtësi edhe në Italinë fqinje, ku sipas institutit kombëtar të shëndetësisë mosha mesatare e të infektuarve gjatë javës së fundit është 30.
Treguesi “r” i riprodhimit të virusit vijon të mbetet nën 1 por autoritetet paralajmërojnë se raste të reja po identifikohen në të gjitha rajonet e Italisë. Në 24 orët e fundit, u regjistruan 845 raste, shifra më e lartë që prej 16 majit.
Rritje shqetësuese vihet re edhe në Greqi, Austri, Maltë e Slloveni, por kambanat e alarmit bien kryesisht në Kroaci ku niveli i infektimit është rritur me 174 përqind, nga 7.8 raste për 100 mijë banorë në 21.5.
Nga e shtuna, Britania rikthen karantinën për të gjithë të ardhurit nga Kroacia, ndërsa Gjermania ka vendosur dy rajone kroate në listën e kuqe. Megjithatë, pavarësisht situatës shqetësuese, OBSH thotë se masat e reja të izolimit në Europë nuk janë të nevojshme. Sipas kreut të degës europiane të OBSH Hans Kluge, rritja lidhet me kthimin e qytetarëve nga pushimet. (A2 Televizion)