
Drejtuesi qendror i operacionit për menaxhimin e fatkeqësisë natyrore, ministri Bledi Çuçi, deklaroi se dy javë pas tërmetit të 26 nëntorit qeveria ende nuk e ka një faturë të plotë të dëmeve, por përllogaritet që vetëm ai në shkolla të shkojë në rreth 3 miliardë lekë.
Sa i përket fazës së rindërtimit, Çuçi tha se deri më sot janë në dispozicion 20 miliardë lekë, nga të cilat 13 prej buxhetit të shtetit dhe 7 miliardë lekë nga donacionet.
“Në lidhje me shkollat, kemi vlerësim paraprak të dëmit rreth 3 miliardë lekë. Nxënësit që frekuentonin shkollat që janë dëmtuar rëndë, janë sistemuar në shkolla të tjera dhe mësimi ka rifilluar rregullisht. Nuk kemi faturë përfundimtare të dëmeve. Programi i rimëkëmbjes kërkon burime të mëdha financiare. Deri më sot janë në dispozicion 20 miliardë lekë”, tha Çuçi. (A2 Televizion)