
Dëshmi tronditëse vijnë nga një aktivist në Korenë e Jugut, i cili raporton se të infektuarit me koronavirus në Korenë e Veriut janë duke vdekur nga uria në kampet e ngritura për karantinën.
Aktivisti i krishterë, Tim Peters, i cili drejton një organizatë bamirëse me seli në Seul shprehet për mediat se të dhënat që ai ka tregojnë se këto kampe karantine me persona të infektuar me Covid-19 janë ngritur në qytetet përgjatë kufirit kinez.
Sipas tij, njerëzit “e burgosur” aty shpeshherë lihen pa ushqim dhe pa trajtimin mjekësor të nevojshëm.
"Familjarët e personave të karantinuar në këto kampe sjellin shpeshherë ushqime dhe ilaçe për të afërmit e tyre. Ata blejnë çdo ilaç të mundshëm në farmaci dhe madje sjellin përgatitje artizanale me bimë medicinale", shprehet Peters, për “South China Morning Post”.
“Burimet e mia tregojnë se shumë njerëz nga këto kampe kanë vdekur nga uria dhe sëmundje të tjera të lidhura me të, përveç pandemisë”, shton ai. (A2 Televizion)