
Liderët e Bashkimit Europian mbeten të përçarë lidhur me pasuesit e zyrtarëve të lartë të Unionit. Ata pezulluan negociatat që zgjatën gjatë gjithë natës të së dielës deri mëngjesin e së hënës. Kundërshtimet më të mëdha janë për pasuesin e presidentit të Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker.
Diplomatët bënë me dije se drejtuesi i samitit, Donald Tusk propozoi politikanin holandez të qëndrës së majtë, Franc Timmermans për postin e lartë, por liderët dështuan të dakordësoheshin. Ky zhvillim irritoi presidentin francez, Emmanuel Macron dhe i dha shkas atij që të bllokonte zgjerimin e Unionit.
“Jam shumë skeptik ndaj atyre që mundohen të na thonë se e ardhmja e Europës është tek një zgjerimi i ri, kur 28 nga ne nuk mund të arrijnë një marrëveshje. Edhe njëherë, unë do të refuzoj në mënyrë strikte çdo zgjerim përpara reformimit të thellë të funksionimit të institucionit tonë, në mënyrë që të kemi një shpirt serioziteti”, deklaroi presidenti francez.
Ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri thirrje për qetësi dhe kërkoi që shtetet e vogla anëtare të BE-së të mos anashkalohen, sa i përket propozimit të kandidatëve për postet drejtuese të Unionit.
“Zgjedhja e liderëve të rinj nuk duhet të krijojë tensione që mund të zgjasin për vitet në vijim.”, u shpreh kancelarja Merkel.
Situata e ndërlikuar erdhi pas zgjedhjeve europiane të mbajtura në maj, ku koalicionet tradicionale të qendrës humbën disa vende në parlament, të cilat u fituan nga nacionalistët dhe liberalët. (A2 Televizion)