
Giuseppe Tornatore është një regjisor, skenarist, producent filmi italian, i cili ka fituar një Oscar në vitin 1990, në moshën 33-vjeçare, për filmin e tij “Nuovo Cinema Paradiso”. Ai lindi më 27 maj 1956 në Bagheria në ishullin e Siçilisë, të cilit më vonë do t’i kushtonte filmin “Baaria”.
Tornatore konsiderohet si një nga regjisorët më të mirë bashkëkohorë të kinemasë italiane dhe çdo film i tij vlerësohet si një ngjarje në kinematografi. Ai fitoi famë botërore për filma të tillë si: "Legjenda e Pianistit", "Malena", "Baaria" e shumë të tjerë.
Në shumicën e filmave të tij, ai ka bashkëpunuar me kompozitorin italian, Ennio Morricone, me të cilin pati një miqësi të ngushtë dhe i kushtoi edhe një film dokumentar pas vdekjes së tij. Në vitin 2010, Tornatore laureohet me çmimin "Honoris Causa", për kontributin në televizion dhe kinema, dhënë nga Unversiteti i Milanos. (A2 Televizion)